Prej kohësh, macet janë parë si krijesa të ftohta, të pavarura dhe shpesh indiferente ndaj njerëzve që i ushqejnë e i strehojnë, sipas ” The Times”.
Por një studim i ri shkencor ka sjellë një këndvështrim krejt ndryshe: macet mund të krijojnë lidhje të thella emocionale me pronarët e tyre, të ngjashme me ato që shfaqin fëmijët ndaj prindërve.
Hulumtimi, i publikuar në revistën “Current Biology”, u zhvillua nga një grup studiuesish në Shtetet e Bashkuara që analizuan sjelljen e dhjetëra maceve shtëpiake në prani dhe në mungesë të kujdestarëve të tyre.
Metoda e përdorur ishte e njëjtë me atë që psikologët aplikojnë për të matur lidhjet emocionale tek fëmijët e vegjël, testi i quajtur “Strange Situation”.
Rezultatet ishin befasuese: rreth 65 për qind e maceve shfaqën shenja të qarta “lidhjeje të sigurt”, që do të thotë se ato ndiheshin të qeta kur pronari ishte pranë dhe tregoheshin të shqetësuara kur ai largohej. Por sapo pronari kthehej, macet e rifitonin shpejt ndjenjën e sigurisë, një reagim që tregon lidhje të fortë emocionale.
“Macet shfaqin të njëjtën lloj lidhjeje që shohim tek qentë apo madje tek fëmijët”, shpjegon Kristyn Vitale, autorja kryesore e studimit. “Ato nuk janë aspak të ftohta apo të pandjeshme, siç mendohet shpesh. Thjesht e shprehin dashurinë në mënyra më të qeta dhe më delikate”.
Kërkuesit theksojnë se kjo sjellje tregon një ndjenjë besimi dhe sigurie që macet e ndërtojnë me njerëzit. Ato nuk i shohin pronarët vetëm si burim ushqimi, por si figura të rëndësishme për stabilitetin e tyre emocional.
Në fakt, në shumë raste, macet që kishin krijuar lidhje të forta me njerëzit e tyre, shfaqnin më pak stres edhe në situata të reja apo të panjohura.
Studimi hedh dritë mbi mënyrën se si mund të përmirësohet kujdesi ndaj maceve shtëpiake. Sipas ekspertëve, kalimi i kohës cilësore me to, përkëdheljet, loja dhe kontakti i butë janë elementë që forcojnë marrëdhënien dhe ulin ankthin te kafshët.
“Mesazhi është i qartë”, shton Vitale. “Macet nuk janë të ftohta. Ato janë krijesa të ndjeshme dhe sociale, që mund të krijojnë lidhje po aq të thella sa çdo kafshë tjetër shtëpiake. Thjesht duhet t’i kuptojmë dhe t’u japim hapësirën për ta treguar këtë”.
Ky studim sfidon stereotipin e vjetër të maces si një krijesë të vetmuar e të mbyllur në botën e saj, duke treguar se nën atë pamje misterioze fshihet një zemër që lidhet fort me njeriun që e do dhe kujdeset për të.