Saturday, November 23, 2024
HomeSOCIALEEKONOMILushnjë: Mbi 15 trajlerë eksporte bujqësore në ditë

Lushnjë: Mbi 15 trajlerë eksporte bujqësore në ditë

Eksportet e bujqësisë shqiptare, pasi kapën shifrën historike të rritjes, por edhe realizimin e objektivit ambicioz të qeverisë për gjysmë miliard dollarë eksporte, vijojnë trendin rritës edhe në këto muaj të parë të vitit. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, vizitoi në Lushnjë disa prej pikave të grumbullimit që eksportojnë prodhimet shqiptare në rajon dhe në Evropë. “Konstatojmë një rritje të volumeve të eksportit për prodhimet bujqësore në tregjet ndërkombëtare ku krahasimi i periudhës janar-prill 2023 ka një rritje të eksporteve bujqësore prej 5.3% në sasi dhe 12.1% në vlerë me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, u shpreh ministrja. Krifca tha se, “trendi në rritje i eksportit është tregues i qartë i politikave të duhura që kanë mbështetur të gjithë zinxhirin prodhues- grumbullues e standardizues të produkteve, i cili ka forcuar pozicionin tonë në tregjet e eksportit dhe na sjell më afër me përmbushjen e objektivit prej 1 miliard dollarë eksporte bujqësore brenda vitit 2030”. Ajo shtoi se, “nga këtu eksportohen mbi 15 trajlerë në ditë me prodhime të freskëta bujqësore shqiptare që shkojnë në tregjet e Rajonit dhe ato të BE-së. Konkretisht domatja e prodhuar në këtë zonë po eksportohet në Itali në Milano në Romë, në tregje me vlerë të shtuar duke justifikuar kështu mundin e fermerëve tanë”. Krifca i cilësoi eksportet bujqësore një nga elementët e rëndësishëm të suksesit të ecurisë së sektorit, teksa vuri në dukje angazhimin e MBZHR për sfida të tjera për garantimin e sigurisë ushqimore që kanë të bëjnë me ruajtjen e protokolleve të duhura që nga kultivimi, cilësia e tokës, seleksioni e standardizimi deri tek konsumatori final. “Vazhdojmë rritjen falë punës së palodhur të të gjithë zinxhirit ekselent prodhues – përpunues – eksportues të vendit tonë, të cilin e kemi mbështetur dhe do të vijojmë t’i japim prioritet”, u shpreh ministrja. Në totalin e eksporteve bujqësore kryeson grupi i perimeve të freskëta të serrave, ku Shqipëria është e avatazhuar nga prodhimi më i hershëm për shkak të klimës së ngrohtë dhe vendi ynë është një nga eksportuesit më të mëdhenj të domates në Europë. Ndër produktet kryesore të eksportuara janë gjithashtu; kastraveci, speci, lakra, qepa, preshi, drufrutorëve ku kryeson molla etj, për të vijuar me bimët mjekësore dhe prodhimet e agropërpunimit,ndërsa gjeografia e eksporteve “Made in Albania” është shtrirë në mbi 75 shtete të botës. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural krahas investimeve në vepra vaditëse dhe kullimi, ka shtuar subvencionet përmes Skemës Kombëtar ku përmes naftës pa taksa, ka mbështetur fermerët për uljen e kostove dhe rritjen e prodhimit. Krifca u shpreh se “trendi në rritje i eksportit të perimeve tregon që zbatimi i standardeve të larta të prodhimit dhe përpunimit të produkteve nuk duhet të konsiderohet më si një dëshirë apo një detyrë fakultative për prodhuesit dhe eksportuesit shqiptarë, por një detyrë primare zbatimi i së cilës ka lidhje të drejtpërdrejt me sigurinë ushqimore, me kërkesën e konsumatorëve dhe të klientëve potencialë, me ruajtjen dhe forcimin e pozitave në tregjet e eksportit”. Sipas statistikave, eksportet e zarzavateve rezultuan me rritjen më të madhe në qarqet me bujqësinë më intensive në vend, si Berat, Lushnjë, Fier e Divjakë, ku sigurohet mbjellje me dy sezone. Gjeografia e eksporteve bujqësore shqiptare është shtrirë në 78 shtete të botës. Duke iu referuar statistikave, ministrja Krifca theksoi se, “eksportet bujqësore shqiptare, kanë përshpejtuar trendin e rritjes në sasi dhe në vlerë, duke shënuar rekord për prodhimin shqiptar”. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments