Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Daniel Pirushi, në një intervistë për Radio Televizionin Shqiptar ka pohuar se në fund të këtij muaji do të dorëzohet dosja për nominim e lumit Vjosa, për të qenë pjesë e UNESCO-s.
Pirushi tha se dosja është gati. “Ne aplikojmë këtë vit. Brenda shtatorit përmbyllim dosjen e nominimit dhe presim një vit për të pasur rezultatin përfundimtar, të qenurit pjesë e këtij programi kaq të gjerë ndërkombëtar, qeveritar, shkencor atë të UNESCO-s“, tha ajo.
“Dosja është në një fazë të rëndësishme maturimi dhe jemi një nga vendet kandidate me një punë dhe progres shumë të shkurtër. I erdhi koha Vjosës që të kishte mundësinë të ishte prezente dhe të merrte marka të rëndësishme”, shtoi Pirushi.
Lumi Vjosa i njohur si një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë u shpall “Park Kombëtarë” nga qeveria në datë 13. 03 .2023 një kategoria e lartë për mbrojtjen e lumit dhe biosferës dhe tashmë pritet që mbrojtja e lumit Vjosa të kaloj përmasat kombëtare dhe të merret në dorëzim nga organizata ndërkombëtare e UNESCO-s.