Tamara në Malësinë e Kelmendit është një nga zonat më të bukura të Alpeve Shqiptare, që po tërheq gjithmonë e më shumë vizitorë. Deri para shtrirjes atje të Programit të Rilindjes Urbane, ajo çka prezantonte Tamara ishte një mrekulli natyrore, por njëherësh, dëshmi e harresës përmbi dy dekada dhe mungesës së vizionit për ta zhvilluar si të tillë. Tamara ka tashmë një shëtitore të re 5 mijë metra katrorë, është bërë rikonstruksioni i çative të shtëpive karakteristike të zonës, është bërë riveshja e fasadave të ndërtesave në qendër të fshatit, janë mbjellë pemë përgjatë shëtitores si dhe janë vendosur sistemet e ndriçimit. Sipas gojëdhënave, Tamara e ka marrë emrin nga bashkëshortja e pashait të Shkodrës, Karamahmut Pashë Bushatlliut. Në nder të saj pashai ndërtoi fillimisht urën e Tamarës, që i dha më vonë emrin zonës.