Në fillim të dhjetorit, shumica e ministrave të Shëndetësisë të Bashkimit Evropian sinjalizuan mbështetjen e tyre për zgjerimin e zonave pa duhan në një përpjekje për të reduktuar vdekjet nga kanceri. Rekomandimi kaloi me të gjitha vendet që votuan pro, përveç Gjermanisë dhe Greqisë, të cilat abstenuan, duke nënvizuar disa ndarje politike për këtë çështje.
Qëllimi i udhëzimeve të reja është të kufizojë pirjen e duhanit në zonat publike ku fëmijët ose njerëz të tjerë të cenueshëm mblidhen jashtë, si këndet e lojërave, parqet argëtuese, pishinat publike, tarracat e restoranteve dhe transporti publik.
”Rekomandimet synojnë gjithashtu produktet e reja të duhanit, si cigaret elektronike dhe produktet e duhanit me ngrohje, për të penguar të rinjtë nga pirja e duhanit. Reduktimi i ekspozimit ndaj tymit të dorës së dytë dhe aerosolëve do të nënkuptonte mbrojtje më të mirë për joduhanpirësit”, thuhet në një deklaratë për shtyp të BE-së.
Një javë më parë, Parlamenti Evropian votoi kundër një rezolute për të njëjtën temë, pasi ligjvënësit në të djathtë miratuan amendamentet për të bërë dallimin midis produkteve tradicionale të duhanit dhe pajisjeve elektronike. Rezoluta parlamentare do të kishte vetëm vlerë simbolike.
”Komisioni Evropian propozoi rishikimin e udhëzimeve aktuale nga viti 2009 pasi çdo vit rreth 700 000 njerëz në BE humbasin jetën për shkak të konsumit të duhanit”, tha komisioneri i ri i Shëndetësisë i BE-së Olivér Várhelyi përpara votimit.
“Është rreziku më i madh i shmangshëm shëndetësor në BE”, theksoi Várhelyi.
Përdorimi i duhanit vlerësohet të vrasë më shumë se tetë milionë njerëz në mbarë botën çdo vit, duke përfshirë rreth 1,3 milionë joduhanpirës të cilët janë të ekspozuar ndaj tymit të dorës së dytë, tregojnë statistikat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Sipas shifrave të BE-së, një e katërta e vdekjeve nga kanceri në BE, Islandë dhe Norvegji mund t’i atribuohet pirjes së duhanit, duke e bërë duhanin rrezikun kryesor të kancerit. Megjithatë, politika shëndetësore është kompetencë e shteteve anëtare të BE-së, që do të thotë se rekomandimet e reja nuk janë të detyrueshme dhe kryeqytetet janë të lira t’i zbatojnë ato ose jo.
Si pjesë e planit evropian “Të luftoni kancerin”, Komisioni Evropian vendosi të krijojë një “brez pa duhan” në të cilin më pak se 5% e popullsisë së BE-së përdor duhan deri në vitin 2040. Përveç kësaj, BE-ja ka ndarë fonde të konsiderueshme për mbështesin shtetet anëtare në zbatimin e këtyre masave.
Nëpërmjet programit EU4Health, është dhënë një grant prej 16 milionë eurosh për të promovuar politikat kundër duhanit, ndërsa programi Horizon ka ndarë 80 milionë euro për kërkimin mbi kontrollin e duhanit dhe parandalimin e varësisë.