Fillimisht i njohur si një muzikant xhazi, Lucio Dalla konsiderohet si një nga kantautorët më të mëdhenj italianë. Këngët e tij të thella dhe intensive, zëri i tij i jashtëzakonshëm, muzika e tij aq e rafinuar, bazuar në përvojat e tij rinore në xhaz, ishin të mbushura me një qëndrim futurist, vizionar dhe avangard, që nuk i ka munguar kurrë dhe që e bën muzikën e tij aktuale.
Dalla lindi në Bolonja, më 4 mars të vitit 1943, datë të cilën e ka si titull të njërës prej këngëve të tij më të njohura. Një tjetër “hit” i tij ishte kënga “Caruso” e 1986-ës dhe e kënduar nga një mori artistësh të tjerë, përfshi Luciano Pavarotti, Julio Iglesias e Andrea Bocelli. Suksesi që pati me “Attenti al lupo” në 1990 i dha atij njohje më të gjerë jashtë kufijve të Italisë dhe më pas pati ftesa të shumta për duete, veçanërisht për të kënduar “Caruso-n”. Në funeralin e tij, në Bolonja, morën pjesë më shumë se 50 mijë persona.