“Luaj me taksi”, ndërgjegjësim i fëmijëve për sigurinë rrugore

0
2

Një taksi elektrike me përmasa reale, stacioni i saj dhe një maket i Tiranës ku bien në sy korsitë e biçikletave, janë vendosur para sheshit të bashkisë. Nisma e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit fokusohet tek ndërgjegjësimi i fëmijëve me rregullat e të qenit një udhëtar i përgjegjshëm dhe i informuar. Jo më kot, projekti është titullar “Luaj me Taksi”, pasi fëmijët ftohen të luajnë dhe vendosen në rolin e pasagjerit, shoferit si dhe të inspektorit të bashkisë. “Ne fokusohemi gjithmonë në fushata të ndryshme ndërgjegjësuese dhe pika jonë e preferuar janë fëmijët, si konsumatorë të së ardhmes. Në këtë kuadër, meqenëse kjo javë përkon dhe me Javën Europiane të Lëvizshmërisë, kemi ideuar dhe po zbatojmë projektin “Luaj me Taksi”, u shpreh Laura Deliu, drejtoreshë e Përgjithshme e AMK-së. Nga kjo e hënë e deri me datë 22 shtator, fëmijë nga shkollave të ndryshme të Tiranës po vizitojnë taksinë elektrike dhe stacionin e improvizuar. Ata po mësojnë jo vetëm mbi mjetet elektrike, por edhe rregullat bazë si tek elementët e sigurisë apo tarifat e afishuara. Fokusi janë mjetet elektrike, ndaj edhe taksia është e tillë pasi është me rëndësi të theksohen përfitimet e qytetit nëpërmjet qarkullimit të këtyre mjeteve. Jo vetëm fëmijët, por çdo qytetar apo turist i Tiranës është i ftuar gjatë këtyre ditëve të luaj me taksinë elektrike pranë bashkisë.