Në Unazën e Madhe të Tiranës vijojnë punimet në lotet e saj, ku me përfundimin e tyre do të lehtësohet trafiku dhe shkurtohen distancat, sidomos për mjetet që kalojnë tranzit në kryeqytet, apo lëvizin nga periferia jashtë tij. Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se punimet në Lotin II të Unazës Verilindore kanë ecur me ritme të shpejta, ku realizimi fizik deri më tani ka arritur në masën 80%. Sipas ARRSH-së, punimet kanë përfunduar në ndërtimin e trupit të rrugës, ndërsa ekipet e punëtorëve po vijojnë me vendosjen e shtresës së stabilizantit, me punimet nëntokësore të ndriçimit dhe të sinjalistikës rrugore. Aktualisht punimet janë në fazën e zbatimit të dy segmenteve që plotësojnë Unazën e Madhe të Tiranës: pjesën nga rrethrrotullimi “Shqiponja” te Bulevardi i Ri dhe aksin nga Bulevardi i Ri në Shkozë. Në këtë aks parashikohet të ndërtohen vepra arti dhe rrugë dytësore të cilat do të lidhin unazën me zona të tjera të kryeqytetit. Unaza e Madhe e kryeqytetit përbën një segment prej 27 kilometrash të gjatë. Përfundimi i saj në vitin 2023 lehtëson trafikun brenda Tiranës, ndërsa e lidh kryeqytetin me të gjitha rrugët dalëse kombëtare. Kjo unazë do të jetë në shërbim të të gjithë automjeteve, të cilat aksesojnë Tiranën nga të gjitha hyrjet jashtë qytetit, si nga Rruga e Arbrit, ashtu edhe nga rruga Tiranë-Elbasan apo Tiranë-Durrës.