Llixhat e Bënjës, një nga pikat turistike më të vizituara në Përmet i janë nënshtruar një procesi rikualifikimi, që pritet të përfundojë në mars të këtij viti.

Punimet që po kryhen synojnë përmirësimin e shërbimeve, peizazhit turistik si dhe për të krijuar një atraksion të zhvillimit të qëndrueshëm.

Projekti për rehabilitimin e llixhave përfshin ndërhyrje në infrastrukturën rrugore, ndriçimin dhe hapësirat përreth, duke synuar krijimin e një zone të integruar turistike me standarde bashkëkohore.

Ky projekt është i ndarë në disa zona të cilat përfshijnë hapësirën e parkimit, atë të kamperave, hapësira për piknik, një zonë dedikuar shitjes së produkteve lokale dhe artizanale, zona e vaskave, një amfiteatër i konceptuar për aktivitete, si dhe një zonë shërbimesh ku do të ketë edhe dushe e dhoma zhveshjeje.

Burimet e ujërave termale të Bënjës, apo siç quhen ndryshe llixhat e Bënjës, gjenden 14 kilometra larg qytetit jugor të Përmetit në komunën Petran, vetëm 3 kilometra larg nga vendi ku lumi Vjosa bashkohet me përroin e Langaricës.

E veçanta e tyre është se këto janë burime të hapura në natyrë. Temperatura e këtyre ujërave është, 26-32°C. Ky vend i rrethuar nga një natyrë e paprekur, paraqet një përzierje unike midis historisë aventurës dhe natyrës.

Përmeti është një mundësi më shumë për turistët, që kanë mundur të shijojnë dhe përjetojnë bukuritë e tij, si në turizmin kulturor, shëndetësor dhe atë ekologjik.