Ushtria lituaneze ka planifikuar të blejë tanke kryesore luftarake “Leopard 2” të prodhimit gjerman për një divizion të ri luftarak, sipas një direktive. Këshilli Kombëtar i Sigurisë së Lituanisë udhëzoi Ministrinë e Mbrojtjes që të zhvillojë bisedime për blerjen me prodhuesin e tankeve Krauss-Maffei Wegmann. “Leopard 2″ është platforma më efektive e tankeve që plotëson të gjitha kriteret e vendosura nga Lituania”, tha një këshilltar i presidentit lituanez, Gitanas Nausėda për median lokale pas takimit të komitetit. Qeveria ka planifikuar gjithashtu të diskutojë kërkesat e vendeve të tjera të interesuara për të blerë tanke “Leopard 2”. Nuk u dhanë detaje të mëtejshme se sa tanke do të blihen, në cilin variant dhe me çfarë kostoje. Verën e kaluar, Këshilli i Sigurimit i Lituanisë shqyrtoi blerjen e mundshme të tankeve nga Gjermania ose vende të tjera, por nuk mori një vendim përfundimtar. Lituania, një anëtare e Bashkimit Evropian dhe e aleancës së NATO-s, kufizohet me enklavën ruse të Kaliningradit si dhe me aleatin rus Bjellorusinë. Lufta në Ukrainë shihet si një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare në shtetin baltik. Qeveria e Lituanisë i është përgjigjur luftës duke rritur shpenzimet ushtarake dhe duke përmirësuar masivisht ushtrinë