Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci bëri me dije se “Fakulteti i Gjuhëve të Huaja është godina e parë që çlirohet nga rrethimet dhe barrierat, për t’iu kthyer qytetarëve dhe studentëve”.

“Ky model do të vijojë në të gjitha godinat e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi””, tha Beci.

Më herët, kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci, dhe rektori i Universitetit, Tonin Gjuraj bashkërenduan planin për pastrimin dhe sistemimin e këtyre hapësirave, me synimin që ato të shndërrohen në ambiente funksionale për studim, aktivitete akademike dhe jetën e përditshme të studentëve.

“Një realitet që nuk i ka hije e nuk i takon vendit të dijes, hekurishte dhe lloj-lloj rraqesh që i zinin frymën dhe i ulnin dinjitetin. Këto hapësira të godinave të Universitetit të Shkodrës do të pastrohen dhe do t’u kthehen studentëve”, tha Beci.

Beci u shpreh se “bashkia Shkodër do t’i japë universitetit fytyrën e merituar, duke e kthyer atë në funksion të dijes dhe të jetës studentore”.

Ndërhyrjet në Shkodër janë pjesë e ndërhyrjes që po zhvillohet në të gjithë vendin, për lirimin e hapësirave publike të komuniteteve dhe lëvizjes së lirshme të qytetarëve.