Liqeni përrallor i Zanave në Gramë të Dibrës

0
53

Liqeni i Zanave në Gramë të Dibrës është kthyer në një atraksion ku ndalen mijëra vizitorë e turistë të dhënë pas turizmit malor. Grama është cilësuar perla e Dibrës, e pasur me bjeshkë të sheshta, liqenin e bukur dhe gjelbërim të pafundmë. Me t’u ngjitur në bjeshkët e Gramës, syri sheh vetëm gjelbërim pafund, burime të shumta uji të kristaltë dhe shumë të ftohtë. Në Gramë ka një sërë monumentesh natyrore, ndaj edhe është ndër vendet më të lakmuara nga vizitorët vendas dhe turistët e huaj. Grama shtrihet në verilindje të Peshkopisë, rreth 12 km larg qytetit dhe shkon deri në 2400 metra mbi nivelin e detit. Ajo është pjesa më e bukur e parkut kombëtar Korab-Koritnik. Ngjitja për në bjeshkë është shumë e bukur, të jep ndjesinë e një ballkoni, pasi prej aty mund të shikosh gjithë fushën e Dibrës, qytetin e Peshkopisë dhe plot bukuri që aty natyra i ka vizatuar me shumicë.