Liqeni i Shkodrës, i konsideruar si një nga qendrat turistike më të rëndësishme të rajonit, vijon të zgjojë kuriozitetin e turistëve vendas e të huaj. Administrata e Zonave të Mbrojtura Shkodër bëri të ditur sot për ATSH-në se “Liqeni i Shkodrës gjatë muajit gusht u vizitua nga 39 500 turistë, nga të cilët 18 500 vendas e 20 mijë të huaj”. Vitet e fundit numri i vizitorëve në këtë liqen është rritur falë aktiviteteve sportive që zhvillohen aty, si kanoet, varkat dhe gondolat veneciane. Ndërkohë që ndër pikat turistike më të vizituara në liqen janë Shiroka, Zogaj, “Syri i Sheganit” etj. Sipas ADZM Shkodër, një tjetër atraksion që vijon të tërheqë vizitorët është edhe vrojtimi i shpendëve. Së shpejti në Liqenin e Shkodrës do të jenë në funksion tre mole, një në Shirokë dhe dy të tjerë në Zogaj dhe në Shkodër. Me 3 stacione lundrimi, bashkia e Shkodrës do të vendosë në përdorim varka turistike për të gjithë ata që dëshirojnë të lundrojnë në liqen, për të kundruar nga uji pamjen fantastike që ofrojnë brigjet. Liqeni i Shkodrës ofron mundësi argëtimi dhe kënaqësie për të gjithë turistët që dëshirojnë të shijojnë turizmin aktiv. Ai është liqeni më i madh në Gadishullin e Ballkanit dhe shtrihet në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ekosistemi i liqenit ushqen faunën dhe florën e pasur dhe unike, duke e shndërruar atë në një qendër të rëndësishme biodiversiteti në Evropë. Fauna e liqenit është e shumëllojshme dhe e pasur me 45 lloje peshqish e 270 lloje shpendësh. Këto shpendë përbëjnë 87% të gjithë Ornitofaunës të Shqipërisë. Një perlë e kësaj pasurie është pa dyshim pelikani, zogu më i madh në Europë. Pika më e thellë e liqenit është rreth 45 metra. Në skajin juglindor shtrihet qyteti i Shkodrës, nga i cili ka marrë edhe emrin.
Liqeni i Shkodrës, i preferuari i mbi 39 mijë turistëve
RELATED ARTICLES