Liqeni i Shkodrës gjatë këtij viti ka tërhequr një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj. I konsideruar si një nga qendrat turistike më të rëndësishme të rajonit ky liqen dallon për ajrin e pastër dhe bukuritë natyrore. Administrata e Zonave të Mbrojtura Shkodër bëri të ditur sot për ATSH-në se “Liqeni i Shkodrës gjatë periudhës janar-shtator u vizitua nga 143 710 vizitorë, nga të cilët 78 800 vendas dhe 64 910 të huaj”. “Ndër pikat turistike më të vizituara në liqen janë “Syri i Sheganit”, Shiroka, Zogaj. Ndërkohë që numri i vizitorëve është rritur edhe falë sporteve ujore si kanoet,varkat dhe gondolat veneciane që janë zhvilluar gjatë këtij sezoni turistik”, thekson AdZM Shkodër. Një tjetër atraksion që ka tërhequr më shumë vizitorë është edhe vrojtimi i shpendëve, “Liqeni i Shkodrës është një pikë mjaft e rekomanduar për të vrojtuar shpendët shtegtarë, një aktivitet që ndërlidh konceptin e udhëtimit dhe eksplorimit të botës së gjallë natyrore”, tha AdZM Shkodër. Liqeni i Shkodrës ka një sipërfaqe prej 368 km², nga të cilat 149 km² i përkasin Republikës së Shqipërisë; ndërsa 2/3 Malit të Zi. Liqeni ka një breg shumë të larmishëm. Në bregun jugor shquhen plazhet në rrugën nga Shkodra për në Shirokë e Zogaj, ku më i madhi është Zalli i Bardhë. Fauna e liqenit është e shumëllojshme dhe e pasur me 45 lloje peshqish e 270 lloje shpendësh. Këto shpendë përbëjnë 87% të gjithë Ornitofaunës të Shqipërisë. Një perlë e kësaj pasurie është padyshim pelikani, zogu më i madh në Europë. Pika më e thellë e liqenit është rreth 45 metra. Në skajin jug-lindor shtrihet qyteti i Shkodrës, nga ku merr edhe emrin.https://ata.gov.al/2022/10/11/liqeni-i-shkodres-destinacioni-i-mbi-143-mije-vizitoreve/