Gadishulli i Linit, që laget nga ujërat e liqenit të Ohrit, gjendet rreth 20 km nga qyteti i Pogradecit. Fshati Lin ka një bukuri të rrallë dhe pret mijëra turistë në çdo stinë.
Përmes një videoje me pamje të mrekullueshme, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë, fton të vizitohet kjo perlë buzë Ohrit, ku historia dhe natyra ndërthuren në çdo hap.
Qetësia që të fal liqeni është në harmoni të plotë me prodhimet e stinës nga duart e zonjave punëtore që ofrojnë për vizitorët shijen e produkteve vendase. Lini është destinacioni ideal për një fundjavë ndryshe. Përveç panoramës mbresëlënëse, qetësisë, prodhimeve artizanale e mikpritjes së ngrohtë, ky vend ofron edhe bukuritë e ardhura ndër shekuj.
Bazilika Paleokristiane e Linit, një monument i shekullit VI, përfaqëson një nga veprat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Mozaiku i Linit, tashmë i restauruar, është një trashëgimi e çmuar kulturore dhe njëkohësisht konsiderohet si më i veçanti nga të gjithë mozaikët e tjerë me karakteristika fetare.
Po ashtu, në Lin ka disa plazhe të këndshme me ujë të kristaltë, me guralecë të vegjël.