Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në zbatim të ligjit “Për fondet e pensionit privat”, ka nxjerrë 2 projektrregullore për konsultim publik. Projektrregullorja “Për përcaktimin e elementëve të kontratës së anëtarësimit, të deklaratës së pranimit të pjesëmarrjes, të kontratës së administrimit të aktiveve të shoqërisë administruese dhe përmbajtjes dhe strukturës së prospektit të fondit” ka për objekt përcaktimin e elementëve të kontratës së anëtarësimit në fondin me pjesëmarrje të hapur për anëtarin individ, përcaktimin e elementeve të deklaratës së pranimit të pjesëmarrjes, si për punëmarrësit e një punëdhënësi në fondin me pjesëmarrje të hapur, ashtu dhe për punëmarrësit e një sponsori në fondin me pjesëmarrje të mbyllur. Po ashtu dhe përcaktimin e elementëve të kontratës së administrimit të aktiveve ndërmjet sponsorit dhe shoqërisë administruese, si dhe përmbajtjen dhe strukturën e prospektit të fondit të pensionit. Projektrregullorja “Për licencimin dhe rregullat shtesë të licencimit të shoqërisë administruese të fondeve të pensionit privat dhe depozitarit të fondeve të pensionit privat të themeluara në Republikën e Shqipërisë” , ka si qëllim përcaktimin e kërkesave për licencimin e shoqërisë administruese të fondeve të pensionit privat në Republikën e Shqipërisë dhe miratimin e fondit të pensionit privat dhe licencimin dhe veprimtarinë e depozitarit të fondit të pensionit privat.