Ligji i ri për Bletarinë vjen si një mbështetje e fortë për zhvillimin e këtij sektori dhe ndihmon bletarët të rrisin konkurrueshmërinë e tyre pasi ka ende potenciale të pashfrytëzuara në bletari dhe eksporte. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca publikoi në rrjete sociale një video informuese mbi rëndësinë e këtij ligji që u shqyrtua dhe miratua së fundi në Komisionin e përhershëm të Kuvendit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin. Krifca tha se, “ky ligj i rëndësishëm, vjen pas një pune të madhe dhe angazhimi gjithëpërfshirës me shoqatat e bletërritësve dhe ekspertëve më në zë të fushës. Ligji është në përgjigje të kërkesës së kahershme të komunitetit të bletarëve, por edhe si kërkesë e kohës dhe zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit të bletarisë”. “Me këtë ligj të ri, ne përcaktojmë rregulla për regjistrimin, transportin, etiketimin, kontrollin dhe eksportin. E mbrojmë racën e bletës tipike autoktone duke mbrojtur mjedisin dhe prodhimin agropyjor, garantojmë sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit, si themel të punës tonë, duke njohur mirë atë se çfarë vjen nga ferma në tryezë”, tha ministrja. Krifca tha se “ligji i ri krijon stimuj për vendosjen dhe qëndrimin e të rinjve në sektorin e bletarisë dhe siguron mbështetje për bletarët, sidomos për ata që operojnë në zonat e thella. Me këtë projektligj i japim fund monitorimit të species, shtegtimit të tyre të pakontrolluar dhe trajtimit pa kriter të sëmundjeve të tyre me pasoja dhe në humbjen e kolonive të bletëve”. Sipas saj, “bletaria është një sektor që ka shënuar rritje të qëndrueshme dhe vetëm gjatë këtij viti kemi një prodhim prej gati 5 200 tonë mjaltë”. Krifca shprehu mbështetjen e vazhdueshme dhe të qëndrueshme të qeverisë për bujqësinë, fermerët dhe nxitjen e të rinjve në sipërmarrjet rurale. Në fund të vitit të kaluar u alokua një buxhet shtesë me një fond 160 milionë lekë duke plotësuar të gjithë kërkesën për mbështetje për bletërritësit. Ndërkohë, 3 mijë bletarë u mbështetën me një total financimi prej 310 milionë lekësh, vetëm për vitin 2022. ATSH