Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat, projektligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat”. Në fjalën e saj, ministrja theksoi se hartimi i një ligji të ri për tatimin mbi të ardhurat ka lindur si nevojë për qasje të re në taksimin e individëve dhe të ardhurave të tyre nga burime të ndryshme, për shkak se ligji aktual daton që në vitin 1998 dhe amendimet e ndryshme që i janë bërë në vite nuk adresojnë risitë e reja që kanë lindur në fushën e taksimit të të ardhurave personale dhe fitimit korporativ. Ministrja bëri me dije se projektligji është hartuar edhe me asistencën teknike të FMN dhe sjell një risi në legjislacionin tatimor shqiptar, duke synuar neutralitetin e tatimit, rritjen e transparencës dhe aplikimin e një sistemi sa më të drejtë tatimor, si dhe përafriminin gradual të sistemit të tatimit të të ardhurave në Shqipëri me direktivat e Bashkimit Europian. “Nevojitet një qasje e re si rezultat i amendimeve të ndryshme të ligjit në kohë dhe për shkak të incentivave, përjashtimeve, tarifave të reduktuara të miratuara në vite, pasi është cënuar dhe parimi i neutralitetit të tatimit. Një pjesë e këtyre incentivave, përjashtimeve, tarifave e kanë plotësuar tashmë misionin e tyre, ose nuk kanë përmbushur misionin e tyre dhe për këtë arsye propozohen që të ndryshohen”, tha Ibrahimaj. Një prej risive të projektligjit është përcaktimi i taksimit të të ardhurave në dy kategori: taksimi i individëve dhe personave fizikë tregtarë me tatim mbi të ardhurat personale, dhe taksimi i entiteteve juridike me tatim mbi fitimin korporativ. Po ashtu, ai kategorizon 3 grupet e të ardhurave personale të cilat realizohen nga individët dhe personat fizikë tregtarë dhe të cilat i nënshtrohen tatimit mbi të ardhurat personale: të ardhurat nga punësimi; të ardhurat nga biznesi; dhe të ardhurat nga kapitali pasiv. Lidhur me tatimin e individëve dhe bizneseve të vogla persona fizikë në fushën e prodhimit, tregtisë, transportit dhe shërbimeve, Ministrja sqaroi se projektligji propozon ruajtjen e skemës ekzistuese të tatimit me tarifë 0 % kryesisht të biznesit të vogël familjar, ku personat fizikë dhe personat juridikë me qarkullim deri në 14 milionë lekë do të paguajnë 0% tatim mbi të ardhurat nga biznesi dhe mbi të ardhurat e korporatës deri në vitin 2029. Projektligji propozon futjen në skemën e tatimit nga 1 janari 2023 të bizneseve furnizues të shërbimeve kryesisht profesionale, duke adresuar në këtë mënyrë fenomenin e identifikuar në lidhje me ofrimin e shërbimeve, kryesisht në profesione të lira, fenomen i cili ka eroduar bazën e listëpagesave dhe ka krijuar pakënaqësi në radhët e të punësuarve me paga të mesme dhe të larta, në lidhje me politikat e tatimit që zbatohen për profesionet e lira, apo furnizuesit e shërbimeve në përgjithësi.https://ata.gov.al/2022/12/01/ibrahimaj-ligji-i-ri-per-tatimin-mbi-te-ardhurat-synon-nje-sistem-te-drejte-tatimor/