Ligji i ri “Për sigurimet” mbi dëmet e mbartura

0
19

Ligji i ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” ka dhënë ndikim direkt në përmirësimin e ndjeshëm të situatës me Fondin e Kompensimit dhe Kartonin Jeshil, një vit e gjysmë pas hyrjes së tij në fuqi. Bazuar nga shifrat e raportuara nga shoqëritë e sigurimit dhe Byroja Shqiptare e Sigurimit, për dëmet e ndodhura pas datës 1 korrik 2021, objekt i Fondit të Kompensimit, aktualisht asnjë prej tyre nuk ka shkuar në gjykatë. Gjithashtu, një pjesë e konsiderueshme e këtyre dëmeve, rreth 87%, janë paguar përmes praktikës së siguruesit të drejtpërdrejtë, si një nga risitë e ligjit, ku i dëmtuari në një aksident të shkaktuar nga një mjet i pasiguruar ose i paidentifikuar e ka kërkuar dëmshpërblimin te shoqëria e tij e sigurimit (një format i ngjashëm me sigurimin Kasko). Byroja Shqiptare e Sigurimit trajton rastet e aksidenteve të Kartonit Jeshil, si edhe të Fondit të Kompensimit. Në të kaluarën, ka pasur problematika në të dy këta komponentë, për shkak të mospagesës së dëmeve brenda afateve, si edhe numrit të konsiderueshëm të pazgjidhur të kërkesave për dëmshpërblim. Akumulimi i këtyre rasteve ndër vite dhe problematikat e mbartura sollën edhe vendosjen e Byrosë Shqiptare të Sigurimit në statusin e monitorimit nga ana e Këshillit të Byrove, në tetor të vitit 2013. Përmirësimi i ndjeshëm i situatës së dëmeve te Byroja, falë ndryshimeve të fundit ligjore dhe monitorimit të shtuar nga ana e Autoritetit, sollën edhe daljen e Byrosë Shqiptare të Sigurimit nga monitorimi i Këshillit të Byrove në dhjetor të vitit të kaluar. Ndër ndryshimet e fundit ligjore që ka dhënë ndikim të ndjeshëm në përmirësimin e situatës së Byrosë është krijimi i një fondi garancie për kartonin jeshil, ku çdo anëtar i Byrosë, i autorizuar për të lëshuar karton jeshil, duhet të depozitojë një garanci bankare pranë një banke të nivelit të dytë në Shqipëri, në favor të Byrosë, në shumën që përcaktohet nga asambleja e anëtarëve, por jo më të vogël se 250 mijë euro. Gjithashtu, sa i përket Fondit të Kompensimit, ligji parashikon krijimin e një fondi garancie, që nuk mund të jetë më i vogël se 150 milionë lekë. Përveç fondit të garancisë, në rastin e Fondit të Kompensimit, Autoriteti i kërkon dhe monitoron anëtarët e Byrosë Shqiptare të Sigurimit në lidhje me mbajtjen e rezervave për të gjithë vlerën e dëmeve pezull objekt i Fondit të Kompensimit. Risi ishte dhe riorganizimi strukturor i Byrosë Shqiptare të Sigurimit, ku parashikohet që Byroja Shqiptare e Sigurimit të organizohet në dy departamente të pavarura: Departamenti i Kartonit Jeshil dhe Departamenti i Fondit të Kompensimit. Po ashtu, trajtimi i rasteve të Fondit të Kompensimit përmes siguruesit të drejtpërdrejtë, ku palës së dëmtuar nga një aksident i shkaktuar nga një mjet i pasiguruar ose i paidentifikuar i lind e drejta ta kërkojë dëmshpërblimin te shoqëria e vet e sigurimit. Sipas shifrave të raportuara, që nga hyrja në fuqi e ligjit, në 1 korrik 2021, e deri në fund të vitit 2022, rreth 87% e rasteve Fond Kompensimi, janë trajtuar përmes siguruesit të drejtpërdrejtë. “Të gjitha ndryshimet ligjore kanë sjellë përmirësim të konsiderueshëm të situatës, si për dëmet Fond Kompensimi, ashtu edhe për Kartonin Jeshil. Përmirësimi i situatës me pagesat e prapambetura për Kartonin Jeshil solli edhe vendimin e Këshillit të Byrove për të ulur me rreth 1 milionë euro garancinë financiare që Byroja Shqiptare e Sigurimit duhet të mbajë për rastet e thirrjes së garancive”, bëri të ditur Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. ATA