Lënia e qenit vetëm në hapësira publike, të lidhur ose jo me zinxhir, dhe të dilni për të bërë pazar ose për të kryer ndonjë aktivitet tjetër tani është e ndaluar në Spanjë, sipas ligjit të ri për mirëqenien e kafshëve, që synon mbrojtjen e tyre nga keqtrajtimi i cili hyri sot në fuqi. Ligji, i miratuar në legjislaturën e kaluar, parashikon masa të ndryshme për të përmirësuar mbrojtjen dhe kujdesin e kafshëve shtëpiake ose të egra, nën përgjegjësinë njerëzore, për shembull ndalimin e përdorimit të tyre për luftime, detyrimit për t’i sterilizuar për të shmangur riprodhimin jashtë kontrollit ose për t’i lënë përgjithmonë në ballkon, në një oborr ose në një papafingo. Në një pikë, ligji përcakton konkretisht ndalimin e mbajtjes së kafshëve shtëpiake të lidhura apo të lira në hapësira publike pa mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të personit përgjegjës, shkelje e cila mund të dënohet me gjobë nga 500 deri në 10 mijë euro. Për më tepër, qentë nuk mund të lihen vetëm, as në ambiente private, për më shumë se 24 orë, ndërsa për speciet e tjera shtazore ky kufi është 72 orë. Ligji i ri parashikon gjithashtu aspekte që nuk mund të hyjnë ende në fuqi, në mungesë të një rregulloreje, miratimi i së cilës do të mbetet në gatishmëri të paktën deri në marrjen e detyrës nga qeveria e re.