Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALEEKONOMILigj i ri i unifikuar për investimet, përmirësim i klimës së biznesit

Ligj i ri i unifikuar për investimet, përmirësim i klimës së biznesit

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, mori pjesë në eventin e prezantimit të gjetjeve të anketimit të Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) “Mjedisi i biznesit në Shqipëri 2023”. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, presidenti i FIAA, Alessandro D’Oria, si edhe drejtorja ekzekutive e FIAA, Marinela Jazoj. Ministri vlerësoi anketimin e realizuar nga FIAA, i cili vëren përmirësim të ndjeshëm në vlerësimin e përgjithshëm të klimës së të bërit biznes dhe pritshmëritë për përmirësim të mëtejshëm. “Përmirësimi i një sërë treguesve të anketimit, si ato që kanë të bëjnë me marrëdhëniet me administratën tatimore e doganore, nivelin e transparencës, konkurrencën, si edhe nivelin e burokracisë me të cilën përballen bizneset, dëshmojnë se kemi pasur rezultate pozitive në këtë drejtim”, tha Mete, ndërsa pohoi se mbeten ende hapësira për përmirësim të mëtejshëm. Ministri u shpreh se qeveria mbetet e angazhuar përmes politikave dhe nismave të caktuara për të rritur aftësimin profesional dhe për të stimuluar pjesëmarrjen e të rinjve në tregun e punës. Mete theksoi se forcimi i komunikimit dhe bashkëpunimit mes qeverisë dhe bizneseve është thelbësor për të ndërmarrë reforma dhe politika të qëndrueshme, të cilat do t’i shërbejnë vendit në periudhën afatgjatë. Gjatë fjalës së tij, ministri deklaroi se ecuria ekonomike e vendit ka qenë pozitive pavarësisht sfidave dhe shprehu angazhimin e qeverisë për të vijuar më tej me thellimin e proceseve të dixhitalizimit, zgjerimin e shërbimeve online, riinxhinierimin e shërbimeve dhe derregullimin, për të përmirësuar më tej klimën e biznesit. Kohët e fundit qeveria ka ndërmarrë një sërë ndryshimesh ligjore për përafrimin e legjislacionit tonë me atë të Bashkimit Europian. Një kuadër i plotë ligjor dhe i përafruar me direktivat evropiane është një garanci më shumë për investitorët, pasi i ndihmon ata të jenë më të mbrojtur dhe të orientojnë siç duhet planet e tyre të investimeve. Në këtë drejtim, ministri informoi se po punohet për hartimin e një kuadri të ri ligjor të unifikuar për investimet, i cili synon ta bëjë Shqipërinë akoma edhe më tërheqëse për investitorët e huaj, duke stimuluar investimet në përgjithësi dhe investimet në sektorët prioritarë. Vitin e kaluar Investimet e Huaja Direkte kapën një shifër rekord prej 1.3 miliardë euro dhe trendi vijon të mbetet pozitiv, ku 6-mujorin e parë investimet e huaja direkte arritën afro 700 milionë euro.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments