Njerëzit me shenja të sëmundjes së mishrave të dhëmbëve kanë më shumë gjasa të vuajnë nga sëmundje të shumta kronike si diabeti, sëmundjet kardiovaskulare dhe depresioni, sipas një studimi britanik të koordinuar nga Francesco D’Aiuto i ”University College London”.
Studiuesit në bashkëpunim me universitete të tjera (Glasgow dhe Birmingham), zbuluan se njerëzit që raportuan simptoma të periodontitit, të tilla si gjakderdhje nga mishrat e dhëmbëve, dhimbje nga mishrat ose dhëmbë të lirshëm, kishin statistikisht më shumë gjasa të jetonin me dy ose më shumë sëmundje kronike duke parasysh faktorët e rrezikut, të tillë si mosha, pirja e duhanit dhe pesha trupore.
Studimi do të prezantohet në EuroPerio11, kongresin kryesor botëror të periodontologjisë dhe implantologjisë, të organizuar nga Federata Evropiane e Periodontologjisë (EFP), i cili hapet më 14 maj në Vjenë.
”Studimi ynë thekson edhe një herë rëndësinë e shëndetit oral në kontekstin më të gjerë të sëmundjeve sistemike”, thotë autori kryesor Nisachon Siripaiboonpong, nga Instituti Dentar ”Eastman”.
“Kjo sugjeron që përmirësimi i shëndetit të mishrave të dhëmbëve mund të ndihmojë në uljen e rrezikut të multimorbiditetit, veçanërisht në popullatat në plakje’’, shton ai.
Studiuesit analizuan të dhënat nga 500 612 pjesëmarrës në biobankë. Shëndeti periodontal u vlerësua përmes simptomave të vetë-raportuara, të tilla si gjakderdhja e mishrave të dhëmbëve, mishrat e dhimbshme dhe dhëmbët e lirshëm – ndërsa multimorbiditeti u përcaktua si prania e dy ose më shumë sëmundjeve kronike.
Doli që 57% e pjesëmarrësve përjetuan multimorbiditet (prania e problemeve të shumëfishta shëndetësore në të njëjtën kohë); 18% raportuan shenja të inflamacionit të mishrave të dhëmbëve.
Ata që kishin ndonjë simptomë të sëmundjes së mishrave të dhëmbëve kishin rreth 15 përqind më shumë gjasa të vuanin edhe nga sëmundje të shumta kronike.
Mishrat e dhëmbëve të lënduar ishin parashikuesi më i fortë (54% më shumë gjasa për të vuajtur nga sëmundje më kronike për ata që ankoheshin për mishra të dhëmbëve të lënduar), e ndjekur nga dhëmbët e lirshëm (+12%) dhe mishrat e dhëmbëve që gjakosen (+11%).
Shëndeti i dobët i mishrave të dhëmbëve, ose inflamacioni periodontal, po lidhet gjithnjë e më shumë me rrezikun e sëmundjeve sistemike.
Kjo me sa duket është për shkak të përhapjes së baktereve orale dhe sinjaleve inflamatore përmes qarkullimit të gjakut, të cilat mund të ndikojnë në organe të largëta si zemra, mushkëritë ose truri.
Për më tepër, periodontiti dhe sëmundjet kronike ndajnë disa faktorë rreziku, siç janë ushqyerja e dobët, stresi dhe pabarazia socio-ekonomike