Në mjediset e prefekturës së qarkut Korçë u zhvillua takimi i tretë i Komitetit Pilotues për projektin e çeljes së Liceut Francez .
Këto takime synojnë bashkëpunimin mes institucioneve qendrore e vendore si dhe me ekspertin e qeverisë franceze, Jérôme Lebars, i cili tashmë i është atashuar institucionit të Prefekturës, për të punuar lidhur me këtë projekt.
Çelja e Liceut Francez në Korçë, ishte një kërkesë e Kryeministrit Rama që u mirëprit nga presidenti francez Macron, gjatë vizitës së tij në vendin tonë.
Në këtë takim të tretë ka qenë i pranishëm Pierre Raynaud, këshilltari për Bashkëpunimin dhe Kulturën në Ambasadën franceze në Shqipëri.
Prefekti Nertil Jole u shpreh se, për realizimin e detyrës së ngarkuar nga kryeministri, institucioni i prefektit po mbështet ekspertin francez dhe asiston nga afër procesin, duke siguruar ndihmën dhe bashkëpunimin e institucioneve në nivel qendror dhe vendor.
“Ky projekt është vazhdë e traditës së miqësisë më të mirë mes dy vendeve tona dhe do të zgjerojë hapësirën për një perspektivë të re për shumë të rinj të qarkut tonë e më gjerë, të cilët në të ardhmen mund të zgjedhin këtë shkollë për arsimin e tyre të mesëm, duke i krijuar vetes mundësinë edhe për studime universitare në Francë”, është shprehur prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole.