“Libri jeshil” i Doganave, informacion biznesit dhe procedura të lehtësuara

0
6

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka botuar për të dytin vit me radhë “Librin Jeshil”, në formatin e një raporti vjetor, në dy gjuhë, shqip dhe anglisht. Libri përmban kryesisht informacione lidhur me mbrojtjen e interesave financiare dhe mjedisore të Republikës së Shqipërisë nga tregtia e padrejtë dhe e paligjshme, duke mbështetur ndërkohë aktivitetin e ligjshëm të biznesit, garantimin e sigurisë e kombëtare, mbrojtjen e mjedisit në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e tjera, si dhe mbajtjen e ekuilibrit të duhur ndërmjet kontrolleve doganore dhe lehtësimit të tregtisë së ligjshme. I konceptuar në formatin e një raporti vjetor, Libri Jeshil përmban një përmbledhje të arritjeve dhe sfidave të Administratës Doganore, performancën dhe statistikat kryesore, aktivitetet ligjzbatuese, lehtësimin e procedurave, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe prioritetet e vitit 2023. Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli bëri të ditur se viti 2022 ishte sfidues për doganat por, pavarësisht efekteve të zgjatura të tërmetit, pandemisë dhe konfliktit Rusi-Ukrainë, Administrata Doganore ka shërbyer me përgjegjësi dhe profesionalizëm duke kontribuar për tregtinë e hapur e të ndershme. “Objektivi ynë për vitin 2023 është avancimi drejt digjitalizimit dhe novacionit duke u përfshirë në projekte të rëndësishme me mbështetjen e DG Taxud dhe FMN-së, si projekti “Single WindoW” apo projekti “One-Stop-Shop”, që do të ofrojnë shërbimet në vetëm një dritare për biznesin, sistemi i ri i tranzitit ndërkombëtar, sistemi i integruar i menaxhimit të tarifave, përmirësimi infrastrukturës së degëve doganore etj.”, u shpreh ai. atsh