Udhëheqësi shpirtëror i katolikëve dhe kreu i Vatikanit, papa Leone XIV tha se situata në Rripin e Gazës po bëhet gjithnjë e më shqetësuese dhe e dhimbshme ndërsa bëri thirrje për hyrjen e ndihmës humanitare.

Papa Leone XIV, i cili u zgjodh si udhëheqësi i ri i Kishës Katolike në Konklavën e 8 majit, mbajti sot seancën e tij të parë me audiencë të përgjithshme pas marrjes së këtij pozicioni.

“Situata në Rripin e Gazës po bëhet gjithnjë e më shqetësuese dhe e dhimbshme”, tha papa Leone XIV në seancën e së mërkurës të papëve, që zakonisht mbahet në sheshin e Shën Pjetrit.

Duke tërhequr vëmendjen ndaj vuajtjeve në Gaza, papa tha se “edhe njëherë e përsëris thirrjen time të përzemërt për t’u dhënë fund armiqësive dhe që ndihma humanitare të lejohet të hyjë me dinjitet, në mënyrë që këtij çmimi të dhimbshëm që paguajnë fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët t’i jepet fund”.

Papa gjithashtu u kërkoi besimtarëve të luten për paqe çdo ditë duke thënë se duhet ”të çarmatosin” zemrat e tyre.