Në Art House, Shkodër, u hap ekspozita vetjake e Idlir Kokës, e titulluar “Lëkura në huazim”.

Marrja e lëkurës hua është metafora e përdorur nga artisti Idlir Koka për këtë seri pikturash të realizuara gjatë vitit të fundit. Ato flasin për trauma, vuajtje, dyshime të hetuara pikërisht duke nisur nga vijat e lëkurës.

Ekspozita ka si kurator Stefano Romano dhe mbështetet nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

Idlir Koka është një artist shqiptar, puna e të cilit eksploron sipërfaqet e brishta të kujtesës, historisë dhe identitetit. Me penelata të buta dhe ngjyra të zbehta, ai shndërron objektet e përditshme dhe fragmentet arkitekturore në hapësira gjurmësh, presioni dhe metafore.

Praktika e tij shpesh mbështetet në përvojën post-socialiste, duke u hapur njëkohësisht drejt narrativave më universale.

Piktori Idlit Koka është paraqitur me punët e tij në ekspozita vetjake dhe kolektive në mbarë Evropën, përfshirë Panairin e Artit SWAB Barcelona (2023), Galerinë NAAN (2023), Bazament Art Space (2022), Galerinë Zeta (2018, 2020) dhe Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë (2005–2016).

Ai ka marrë pjesë gjithashtu në projekte ndërkombëtare si “Cosi vicina cosi lontana” – Albania prima e dopo 1990 / Museo d’Arte Contemporanea di Villa Croce / Gjenova (2008), Bienale del Mediterraneo (Itali, 2009), Koleksionin Luciano Benetton Imago Mundi, si dhe në rezidencën artistike në Künstlerhaus, Salzburg (2017).