Lekbibaj në Tropojë është fshati i tretë që i bashkohet aplikimit të Shqipërisë në programin ‘Fshatrat më të mirë turistikë’ nga Organizata Botërore e Turizmit”, pas atij të Zogajt në Shkodër dhe Nepravishtës në Gjirokastër.

Ky aplikim është një pasqyrë e gjithë zonës së Nikaj-Mërturit, me pamje dhe frymëzim nga fshatrat e mrekullueshëm përreth.

Lekbibaj është kthyer vitet e fundit në destinacion të preferuar për këdo që adhuron  natyrën dhe Alpet e Shqipërisë.

Afërsia me Komanin dhe Fierzën e bëjnë edhe më të veçantë. Ai shtrihet përballë liqenit të Komanit, ndërsa në të majtë të fshatit gjarpëron lumi i Currajve, i cili në fund të fshatit derdhet në liqenin e Komanit.

Shqipëria ka aplikuar për programin ndërkombëtar “Fshatrat më të mirë turistikë” të Organizatës Botërore të Turizmit, një nismë që vlerëson fshatrat që kanë ruajtur identitetin, trashëgiminë dhe natyrën e tyre, duke zhvilluar turizmin në mënyrë të qëndrueshme.

Gjashtë fshatrat përfaqësojnë pasurinë dhe shumëllojshmërinë e Shqipërisë rurale: nga majat e thepisura deri tek fushat pjellore e nga gurët e lashtë tek ngjyrat e jetës së përditshme.

Shqipëria konkurron mes 65 shteteve, me plot 270 fshatra, që garojnë për titullin “Fshatrat më të mirë turistikë”.