Por si u bë kaq i famshëm “Arrëthyesi” dhe përse për Krishtlindje?
Shumë njerëz besojnë se figura e ushtarit arrëthyes ka lindur me përrallën e Ernst Hoffman “Arrëthyesi dhe mbreti i miut” nga viti 1816. Ishte kjo që frymëzoi suitën e famshme të baletit me muzikë nga Çajkovski, interpretuar për herë të parë në dhjetor të 1892. Por origjina e “Arrëthyesit” është më e vjetër.
Një nga legjendat mbi ushtarin arrëthyes daton rreth shekullit XVIII dhe është vendosur në Gjermani. Një fermer kalonte Krishtlindjen i vetëm duke thyer arra nga pemët e tij. Me kalimin e kohës, u lodh dhe kërkoi ndihmë nga banorët e qytetit, duke i ofruar një shpërblim kujtdo që mund të shpikte një metodë për t’i shtypur arrat pa u lodhur. Kështu dikush krijoi një kukull prej druri në formën e një ushtari, të lyer me ngjyra të ndezura, me nofulla aq të forta që të shtypnin lehtë arrat.
Entuziast dhe i emocionuar për Arrëthyesin e Krishtlindjeve, fermeri vendosi ta dhuronte pasurinë e tij për njerëzit në nevojë.
Legjenda e dytë është më e vjetra dhe daton në shekullin XVI, gjithmonë në të njëjtën zonë të Gjermanisë, ku thuhet se banorët e një qyteti po detyroheshin nga trupat e ushtrisë gjermane të paguanin gjithnjë e më shumë taksa. Në shenjë proteste ata krijuan një ushtar prej druri, funksioni i të cilit ishte të shtypte arrat me nofullën e tij (nga këtu vjen emri gjerman i këtyre ushtarëve (nussknacker); mesa duket protesta funksionoi dhe që atëherë edhe Arrëthyesi u bë simbol fatsjellës. Arrëthyesi është ende një nga dekorimet e Krishtlindjes që nuk mund të mungojë në shtëpi dhe në çdo vend tjetër ku festohet.