Turizmi në Las Vegas është në nivele të ulëta këtë verë, me resortet dhe qendrat e grumbullimeve masive që raportojnë më pak vizitorë krahasuar me vitin e kaluar, veçanërisht nga jashtë vendit dhe me disa zyrtarë po fajësojnë tarifat dhe politikat e imigracionit të administratës Trump për këtë rënie, sipas AP.
Qyteti i njohur për shfaqjet luksoze, bufetë e pafundme dhe lojërat e fatit 24 orë në ditë priti pak më pak se 3,1 milion turistë në qershor, një rënie prej 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
”Kishte 13% më pak udhëtarë ndërkombëtarë dhe mbushja e hoteleve ra me rreth 15%”, sipas të dhënave nga Autoriteti i Konventave dhe Vizitorëve të Las Vegasit.
Kryetarja e bashkisë, Shelley Berkley tha se turizmi nga Kanadaja — tregu më i madh ndërkombëtar i Nevadës — është në nivele të ulëta dhe e njëjta gjë vlen edhe për Meksikën.
“Kemi një numër turistësh shumë të pasur që vijnë nga Meksika, por të cilët nuk janë aq të etur të vijnë tani”, u tha Berkley gazetarëve në fillim të këtij muaji.
Të dhënat e linjave ajrore kanadeze tregojnë se më pak pasagjerë nga veriu i kufirit po mbërrijnë në aeroportin ndërkombëtar ”Harry Reid” në Las Vegas.
”Air Canada” pa një rënie prej 33% të numrit të pasagjerëve në qershor krahasuar me të njëjtën kohë një vit më parë, ndërsa ”WestJet” pati një rënie prej 31%.
Transportuesi me kosto të ulët ”Flair” raportoi një rënie marramendëse prej 62%.
Agjentët e udhëtimit në Kanada thanë se ka pasur një rënie të ndjeshme të klientëve që duan të vizitojnë SHBA-në në përgjithësi, dhe Las Vegasin në veçanti.
“Tarifat janë një problem i madh. Ato po kontribuojnë në rritjen e kostos së gjithçkaje”, thonë ata.
”Njerëzit po ndiejnë se po u shterojnë paratë dhe nuk po marrin vlerë për dollarin e tyre”, tha Berkley.
Ajo u bëri thirrje pronarëve të bizneseve të ”shohin nëse mund ta bëjmë më të përballueshme” për turistët.
”Dhe kjo është e gjitha që duam. Ne duam që ata të vijnë dhe të kalojnë kohë të mirë, të shpenzojnë paratë e tyre dhe të shkojnë në shtëpi”, tha kryebashkiakja.
”Dhe pastaj të kthehen pas gjashtë muajsh”, shtoi ajo.