Një studim mbi qelizat e mëlçisë i kryer nga studiuesit e institutit ”Enea” ka zbuluar potencialin antitumor të lajthive.
Falë pranisë së biomolekulave aktive të afta për të vrarë qelizat tumorale in vitro, ekstrakti favorizon rivendosjen e kushteve normale të rritjes së indit të mëlçisë.
Zbulimi, i publikuar në revistën ”Natural Product Research”, sipas studiuesve, mund të hapë rrugën për zhvillime terapeutike dhe parandaluese në luftën kundër kancerit të mëlçisë.
Provat shkencore identifikojnë ndryshimin në përmbajtjen ndërqelizore të dy molekulave të vogla të ARN-së si një nga çelësat për të kuptuar vetitë antitumorale të disa ilaçeve onkologjike.
”Në indin e sëmurë, niveli ndërqelizor i dy mikroARN-ve ulet në krahasim me homologun e shëndetshëm, duke shkaktuar përhapjen e neoplazmës”, shpjegon Barbara Benassi nga divizioni i Bioteknologjisë e cila kreu studimin në bashkëpunim me Maria Pierdomenico.
“Rivendosja e dy mikroARN-ve në nivele normale është një nga strategjitë e mundshme të përdorura nga ilaçet e reja për të reduktuar përparimin e tumorit. Në të njëjtën kohë ajo mban nën kontroll integritetin e tyre ndërqelizor, duke parandaluar zvogëlimin e tyre gjatë jetës. një strategji e mundshme parandalimi drejt shndërrimit në neoplazi”, shton Benassi.
Rezultatet tregojnë se ekstrakti tradicional i lajthisë nga zona e Viterbos është në gjendje të stimulojë ndjeshëm nivelin ndërqelizor të dy molekulave të mikroRNA në qelizat e tumorit të mëlçisë, duke penguar përhapjen e tyre dhe duke shkaktuar vdekjen e tyre të mëvonshme in vitro.
Hapi tjetër do të jetë identifikimi i biomolekulave përgjegjëse për këtë efekt citotoksik kundër qelizave tumorale.
Tashmë janë identifikuar kandidatë të mundshëm, pra disa substanca që rrjedhin nga acidi kafeik dhe katekinat, prej të cilave ekstrakti i lajthisë është i pasur.
”Është e nevojshme të kryhen hetime të mëtejshme për të vërtetuar efikasitetin e mundshëm të adjuvantëve terapeutikë”, përfundon Benassi.