I dërguari i posaçëm i dialogut Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, u takua sot në Prishtinë me kryenegociatorin e Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, njofton Radio Evropa e Lirë. Ai u bëri thirrje palëve që të nisin me zbatimin e Marrëveshjes Bazë, pasi sipas tij, zbatimi i saj është në interesin e të gjithëve. Pas takimit me kryenegociatorin e Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, Lajçak në përgjigje të interesit të medieve, tha se në takimin e sotëm në Prishtinë u diskutua gjithashtu edhe për çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit serb. “Kemi një listë të gjatë të çështjeve për të cilat kemi diskutuar, por më e rëndësishmja është zbatimi i Marrëveshjes Bazë. Është në interesin e të gjithëve që të shohim përparim më të shpejtë në këtë drejtim”, tha Lajçak për gazetarët në Prishtinë. Sipas emisarit evropian, Marrëveshja Bazë që u arrit në Bruksel shkurtin e kaluar, dhe më pas në mars në Ohër u arrit pajtim për Aneksin e saj, është ligjërisht e detyrueshme, pavarësisht se palët nuk e kanë nënshkruar atë. “Kjo marrëveshje është marrëveshja më e mirë që mund të siguronin Kosova dhe Serbia. Jam shumë i sigurt për këtë. Nëse do të kishte marrëveshje më të mirë, ajo veçse do të ishte propozuar. Prandaj, është në interesin e të gjithëve që të nisin zbatimin e saj. Me këtë marrëveshje ne kemi përgjigje në pyetjet se si çfarë të bëjmë dhe kur ta bëjmë. E vetmja pyetje që mbetet është se kur dhe unë pyes: Pse të presim? Kjo marrëveshje është e mirë dhe duhet të nisë së zbatuari”, tha ai. Marrëveshja në rrugën drejt normalizimit, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut. Lajçak foli edhe për çështjen e dinarit serb, duke pranuar se për një gjë të tillë kishte organizuar më 27 shkurt një takim në Bruksel në nivel ekspertësh. Megjithatë, ai tha se disa aspekte të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës është dashur të diskutohen me Bislimin. “E di që kemi pasur takimin javën e kaluar në nivel ekspertësh në Bruksel. Takimi ishte konstruktiv dhe arritëm të gjenim përgjigje për disa pyetje. Por, janë disa pyetje që shkojnë përtej mandatit të këtyre ekspertëve dhe i kemi diskutuar këto çështje me Bislimin. Komunikimi ynë do të vazhdojë dhe planifikoj të organizoj një takim të ri në ditët në vijim në nivel të kryenegociatorëve”, tha Lajçak. Në takimin e 27 shkurtit, Kosova u përfaqësua nga krerë të Bankës Qendrore të Kosovës, ndërsa Serbia nga kryenegociatori i saj, Petar Petkoviç.
Lajçak: Zbatimi i Marrëveshjes Bazë, në interesin e të gjithëve
RELATED ARTICLES