I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, tha të enjten në Bruksel se ka progres në zbatimin e disa marrëveshjeve të arritura në dialogun ndërmjet të dyja palëve. Ai e tha këtë gjatë debatit për zgjerimin të zhvilluar nga organizata “Miqtë e Evropës“. Lajçak theksoi se e ardhmja evropiane e rajonit të Ballkanit Perëndimor nuk mund as ëndërr të shihet pa normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. “Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është një çështje me rëndësi strategjike. Pa këtë normalizim nuk mund as të ëndërrojmë të ardhmen evropiane. Kemi progres kohëve të fundit në këtë drejtim. Së shpejti do ta mbyllim dosjen e energjisë, ka progres në çështjen e targave, në çështjen e personave të pagjetur, në çështjen e zgjedhjeve lokale në veri dhe në zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raportev”, deklaroi Lajçak duke shtuar se ai është në kontakt të vazhdueshëm me palët për të vazhduar me zbatimin. Ai bëri thirrje që të mos humbet koha për implementimin e obligimeve nga dialogu dhe të mos humbet rasti për avancim në rrugëtimin drejt BE-së. Lajçak theksoi se viti i ardhshëm do të jetë një vit me kalendar të ngjeshur politik, sepse do të ketë zgjedhje në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas Lajçakut, tash është një moment i ri në procesin e zgjerimit, që është shumë më i favorshëm sesa më parë. Ky moment i ri, tha ai, është krijuar nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe agresioni i tij ndaj Ukrainës”. Megjithatë, emisari i BE-së tha se “gjeopolitika e ka hapur derën për integrim në BE, por ajo nuk do t’ju kalojë vetvetiu juve përmes kësaj dere, sepse për një gjë të tillë duhet të përmbushen kushtet”. “Për herë të parë e shoh BE-në më të gatshme për Ballkanin sesa Ballkani për BE-në”, u shpreh Lajçak duke përsëritur që vendet e rajonit duhet t’i zgjidhin të gjitha çështjet e hapura mes tyre, në mënyrë që një ditë të mos mund të bllokojnë njëra-tjetrën në rrugën drejt BE-së. Në Bruksel po zhvillohet debati kushtuar procesit të zgjerimit të organizuar nga “Miqtë e Evropës”. Në këtë debat, Bashkimi Evropian porositi vendet e Ballkanit Perëndimor se nuk ka më kohë për të pritur që t’i normalizojnë raportet ndërmjet tyre porse kjo duhet të bëhet shpejt, si kusht për të shfrytëzuar mjetet nga plani për rritje ekonomike i miratuar më 8 nëntor nga Komisioni Evropian. Plani për rritje ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor parasheh një paketë të madhe të asistencës financiare prej 6 miliardë eurosh për periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027. Sipas planit, nga kjo shumë, deri në 2 miliardë euro do të shkonin si asistencë pa kthim, ndërsa 4 miliardë në formën e kredive të favorshme apo investimeve kapitale. Një pjesë e këtyre mjeteve financiare do të mund të shkonin përmes pagesave direkte në buxhetet e vendeve të rajonit për t’u përdorur për këto qëllime. Në debat marrin pjesë edhe ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, drejtori i përgjithshëm për zgjerim në Komisionin Evropian, Jan Coopman, dhe shumë pjesëmarrës tjerë. Coopman tha se qëllimi i BE-së është t’i integrojë sa më shumë vendet e rajonit edhe para se të bëhen anëtare të BE-së, përfshirë edhe integrimin në tregun e brendshëm të Bashkimit Evropian. Në takim morën pjesë edhe ministrat nga disa vende të rajonit. Ata mbështetën idenë për integrimin gradual para integrimit formal në BE, por jo të shihet si alternativë e anëtarësimit.