Saturday, November 23, 2024
HomeSHKENCA DHE JETALaguna e Kune-Vainit, habitati natyror i faunës së egër

Laguna e Kune-Vainit, habitati natyror i faunës së egër

Laguna e Kune-Vainit është një ndër ekosistemet natyror – lagunor më të rëndësishme të bregdetit shqiptar të Adriatikut. Zona përbëhet nga një sistem lagunash (Kune, Merxhani, Vain, Zajet etj.) të lidhura me njëra-tjetrën nga Lumi Drin dhe më poshtë me lumin Mat. Shumëllojshmëria e habitateve në këtë zonë dhe karakteristikat e tyre natyrore, kanë krijuar kushtet e duhura për shumë lloje speciesh. Gjithashtu rritja e numrit të shpendëve në vitet e fundit në lagunë është treguesi më i mirë i shpërblimit të natyrës ndaj habitatit të krijuar. Për të apasionuarit pass natyrës, kjo lagunë natyrore ofron një itenerar mjaft interesant siç është shtegu në Ishullin e Kunes. Shtegu ka një vështirësi mesatare dhe një distancë kohore për rreth 2 orë. Përgjatë tij, vizitorët kanë mundësinë të vëzhgojnë biodiversitetin e larmishëm në zemër të pyllit të kombinuar me lloje të ndryshme pishash si edhe një panorama të mrekullueshme të lagunë. Në përbërje të saj hyjnë mjedise detare, lagunore, ligatinore, këneta, pyje, shkurre, të cilat ndërthuren më së miri mes tyre. Laguna e Kunes është gjithashtu një habitat natyror i faunës së egër dhe një vend i pasur me biodiversitet. Turistë të shumtë vizitojnë Lagunën e Kune-Vainit, ku gjithmonë e më tepër ata janë të interesuar edhe rreth birdwatching, një mënyrë kaq e bukur për të ndjekur shpendët e shumëllojshëm. Kohë më parë lagunës së Vainit i mungonin flamengot që tashmë janë rikthyer në lagunë, duke dëshmuar kështu një habitat të qetë dhe të përshtatshëm për të jetuar. Flamingot (Phoenicopterus roseus) gjithmonë kanë spikatur mes shpendëve të lagunës për shkak të ngjyrave që kanë dhe shfaqjeve që ofrojnë për ata që kanë mundësi ti sodisin nga afër. Rritja e numrit të shpendëve në lagunë është treguesi më i mirë i shpërblimit të natyrës për qetësinë e shtuar në zonë. Fauna në lagunën e Vainit është e pranishme si në tokë dhe në uji me rreth 341 specie. Fauna tokësore, e përqendruar më së shumti në këtë lagunë, mban një numër të lartë shpendësh, prej rreth 196 lloje, të cilët e vizitojnë lagunën përgjatë gjithë vitit. Siç bën të ditur Administrata e Zonave të Mbrojtura, ato kategorizohen në 59 lloje autoktone, 65 lloje specie dimëruese, 51 veronjës dhe vetëm 21 lloje janë specie aksidentale të gjendura në këtë lagunë. Karabullaku i zi është që ndeshet jo pak herë në këtë lagunë, njihen si zhytës të shkëlqyer, ku nën ujë e vënë veten në lëvizje me anë të këmbëve si dhe me ndihmën e krahëve. Disa lloje karabullaku janë regjistruar duke u zhytur në thellësi deri në 45 m. Shqipja e kënetës (circus aeruginosus ), çafka e vogël e bardhë (Egretta garzetta) apo edhe bajza (Fulica atra), janë disa nga banoret e përhershme të lagunës së Vainit. Laguna e Vain-it është e pasur me bimë të ndryshme, duke filluar nga bimët e larta drusore e deri tek ato shkurrore e barishtore. Ndër bimët drusore gjejmë rreth 10 specie në këtë lagunë, si: Pisha bregdetare të kultivuara, Pishë të egër, Frashër, Verriz, Plep të Bardhë etj. Ndër bimët shkurrore gjejmë rreth 14 specie, një pjesë janë të njohura, të tilla si: Murrizi, Marinat, Shkozat, Amorfa etj. Bimët barishtore zënë vendin më të madh, me rreth 253 lloje speciesh, të tila si: Zhugat, Kallami, Zhavari, Kripsha etj. Eksplorimi në këtë lagunë i befason turistët me biodiversitetin e larmishëm në zemër të pyllit të kombinuar me lloje të ndryshme pishash, si edhe një panorama të mrekullueshme.https://ata.gov.al/2022/11/13/laguna-e-kune-vainit-habitati-natyror-i-faunes-se-eger/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments