Kuvendi, thirrje për aplikim në edicionin e nëntë të Shkollës së Integrimit Evropian

0
3

Kuvendi i Shqipërisë ka bërë sot thirrje për aplikim në edicionin e nëntë të Shkollës së Integrimit Evropian.

Kjo shkollë do të organizohet në datat 4-8 nëntor 2024, nga Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian, në partneritet me Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA), Delegacionin e Bashkimit Evropian dhe Fondacionin “Friedrich Ebert Stiftung”.

Shkolla e Integrimit Evropian është tashmë një traditë e konsoliduar në mbështetje të identifikimit dhe përfshirjes së aktorëve të spikatur nga të gjitha institucionet, organizatat e shoqërisë civile dhe grupet e interesit, të cilët mund të kontribuojnë me ekspertizën e tyre në procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE).

Shkolla e Integrimit Evropian do të ofrojë përgjatë një jave, një kuadër të plotë teorik dhe praktik mbi zhvillimet dhe sfidat më të fundit në Bashkimin Evropian, zgjerimin e BE me vendet e Ballkanit Perëndimor, negociatat e anëtarësimit si dhe rëndësinë e gjithëpërfshirjes në suksesin e procesit të anëtarësimit në BE.

Në këtë shkollë mund të aplikojë nëpunës të administratës publike shqiptare (duke përfshirë edhe ata nga vetëqeverisja vendore dhe institucionet e pavarura) që punojnë në fushën e integrimit evropian, të cilët synojnë të angazhohen në procesin e negociatave, studiuesit e rinj dhe përfaqësues të organizatave jofitimprurëse, gazetarë dhe përfaqësues të medias, përfaqësues nga komuniteti i biznesit dhe grupe të tjera interesi.

Aplikantët duhet të kenë nivel të mirë të gjuhës angleze. Shumica e seancave do të zhvillohet vetëm në anglisht.

Pjesëmarrësit e interesuar duhet të dërgojnë brenda datës 14 tetor, një CV dhe një letër motivimi ku të shprehin vizionin mbi angazhimin dhe kontributin potencial të tyre në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, dhe miratimin e eprorit për pjesëmarrjen në Shkollën të Integrimit Evropian.

Aplikimi duhet të dërgohet përmes postës elektronike në adresën: [email protected]

Për të mësuar më shumë mbi kriteret e aplikimit dhe detaje të tjera informuese, të interesuarit duhet të klikojnë tek linku  https://www.parlament.al/…/%20e46c262b-a850-4740-88e2…