Një prej elementëve të veçantë të këtij Kuvendi, ishte interpretimi i disa pjesëve në arbërisht nga grupi “Arbëria-Frasnita”, nga Frasnita e Kalabrisë.

Fjalën përshëndetëse e mbajti drejtoresha e QSPA-së, prof. Diana Kastrati, e cila parashtroi veprimtarinë e institucionit në këtë 5-vjetor të saj. Kastrati theksoi nevojën për qartësi dhe objektivitet në trajtimin e çështjes arbëreshe, larg folklorizmave dhe aktivitete sporadike, me vizionin e duhur që meriton kjo diasporë.

Drejtoresha e QSPA, Diana Kastrati, gjatë moderimit të kuvendit, tha se nëse ka një emblemë të profesoratit, ai është prof. Emil Lafe.

“Është një nga figurat që ka ndjekur dhe shoqëruar jo vetëm arsimimin e shumë brezave, por është një nga kontribuesit më të qenësishëm të punës në QSPA dhe kemi fatin që e kemi pjesë të Këshillit të Botimeve Shkencore”, u shpreh Diana Kastrati.

Prof. Lafe vlerësoi organizatorët e kuvendit dhe u uroi atyre punë të mbarë e të frytshme.

“Ky institucion i ri i jetës akademike e ka përligjur më së miri veten. Kjo qendër vjen sot në këtë kuvend me një veprimtari të pasur studimore dhe botuese dhe me një vizion të qartë për të ardhmen”, tha prof. Emil Lafe, duke iu referuar QSPA-së.

Sipas profesorit, falë punës së QSPA-së, kultura, historia, letërsia dhe arbërishtja po bëhen më të njohura në rrethet e studiuesve si dhe për publikun e gjerë shqiptar.

Bota arbëreshe, si një pjesë shumë e çmuar dhe shumë e dashur e qenies tonë kombëtare, duhet të mbijetojë duke u zhvilluar dhe jo duke u konservuar si objekt i një muzeu historik. Ky, sipas profesor Lafes, është qëllimi i këtij kuvendi.

Në fjalën e tij, Damiano Guagliardi, kryetar i Federatës së Shoqatave Arbëreshe (Itali), tha se ky kuvend nuk është vetëm fitorja e disa studiuesve, por i përket gjithë komunitetit arbëresh në Itali.