Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi deklaroi sot se, shumica më e madhe e shkollave, në të cilat u ndërpre mësimi për shkak të reshjeve, janë kthyer në normalitet, përveç 13 shkollave në disa njësi administrative të Shkodrës. Në një postim në rrjetet sociale, Kushi u shpreh se, “strukturat tona arsimore, së bashku me bashkitë, kanë qenë në terren gjatë gjithë fundjavës për të marrë të gjitha masat e nevojshme për një fillim sa më të mbarë të procesit mësimor ditën e hënë”. “Fatmirësisht, pjesa më e madhe e shkollave, ku u ndërpre mësimi javën e kaluar, janë kthyer në normalitet, përveç 13 shkollave në disa njësi administrative të Shkodrës (Pult, Shosh dhe Shalë), ku për shkak të situatës së rënduar nga reshjet e dëborës, procesi nuk mund të fillojë ditën e hënë. Shkolla e Mesme e Bashkuar “Mehmet Shpendi”, Shalë, Shkolla 9-vjeçare “Gimaj”, Shalë, Shkolla 9-vjeçare “Theth” Shalë, Shkolla 9-vjeçare “Don Prek Ndrevashaj”, Shosh, Shkolla 9-vjeçare “Palaj”, Shosh, Shkolla Fillore “Nicaj”, Shosh, Shkolla 9-vjeçare “Kir”, Pult, Shkolla Fillore “Kasnec”, Pult, Shkolla Fillore “Pog”, Pult, Shkolla 9-vjeçare “Bruçaj”, Pult, Shkolla 9-vjeçare “Plan”, Pult, Shkolla Fillore “Maja Thanës”, Pult, Shkolla 9-vjeçare “Xhan”, Pult”, theksoi Kushi . Po ashtu, Kushi shtoi se, “mbetemi të angazhuar maksimalisht me strukturat tona arsimore, duke besuar fort edhe në bashkëpunimin sa më të ngushtë me njësitë administrative përkatëse të Bashkisë Shkodër, që të punojmë së bashku për rikthimin sa më shpejt në normalitet edhe në këto shkolla”. ATSH