“Kush e vrau Mehmet Shehun?”, “Pse e vranë Mehmet Shehun?”, “Po familjen e tij ku e çuan?” “Është me të vërtetë misterioze vdekja e tij. Ai qëndroi pranë Enver Hoxhës për 40 vjet me radhë. Mendoj se Shehu duhet të jetë studiuar dhe ndjekur nga persona me influencë të madhe në Byronë Politike, të cilët kane mundur t’i mbushin mendjen Enver Hoxhës se Shehu kërkon të marrë fuqinë. Këto janë mendimet e mija personale, në fakt gjëra konkrete nuk di. Ai ka qenë një nga luftëtarët më të mëdhenj të rezistencës këtu, ndërsa këtë kërkojnë ta trajtojnë atë si një njeri që s’ka ekzistuar fare. Nuk organizuan asnjë manifestim zyrtar në kujtim të tij veç po pastrojnë muzetë dhe Muzeun Kombëtar që u hap së fundi…” “…Një gabim i Shehut ishte se ai u orientua shumë nga perëndimi për zhvillimin e ekonomisë e të kulturës shqiptare. Sot mendimi i diplomatëve të perëndimit është se në marrëdhëniet e Shqipërisë me shtetet e perëndimit, do të ketë ulje të dukshme…” Këto që po lexoni janë disa nga mendimet e diplomatëve të përfaqësive perëndimore, të cilët janë survejuar nga ish-Sigurimi i Shtetit. Bisedat e bëra mes tyre i shoqëron shqetësimi se nuk po tërheqin dot konkluzione të sakta mbi shkaqet e ngjarjes dhe dilemat e tyre ia komunikojnë shtetasve shqiptarë me të cilët mbanin kontakte pune e shërbimi. Po çfarë mblidhte nga publiku Policia Sekrete ? Në një raport dërguar Komitetit Qendror thuhej se: “Disa persona bëjnë supozime se: “Mehmet Shehu ka kryer shkollën e Fultzit dhe duhet te jete rekrutuar që në atë kohë, prandaj kjo punë i ka rrënjët e thella…” “Mehmet Shehu e vranë kundërshtarët e tij, për të eliminuar një nga një të vjetrit.. Këta flasin për unitetin, por në fakt unitet nuk kanë, po bëhet luftë e ashpër për pushtet…” Sot 42 vjet nga vdekja e ish-Kryeministrit Mehmet Shehu, krahu i djathtë i diktatorit në Shqipërinë komuniste, bashkëpunëtor në krime, por edhe viktimë e pushtetit, Autoriteti deklasifikon mbi 30 mijë faqe dokumente nga arkiva e ish-Sigurimit të Shtetit, të cilat janë krijuar për të dhe familjarët e tij. Vdekja tragjike e tij u pasua nga ajo e djalit Vladimir dhe bashkëshortes, Fiqerete Shehu. Të gjitha vdekje të errëta, me hijen e rëndë të dyshimit se ishin vrasje me urdhër nga lart, por që në dokumente zyrtare u paraqitën si vetëvrasje. Deklarimet e mbledhura, mes të cilave dallohen edhe teza e hedhura nga vetë strukturat e pushtetit për të lëshuar sa më shumë mjegull mbi të vërtetën, një mjegull që ende nuk është daravitur pas katër dekadash mister mbi vdekjen tragjike të ish-Kryeministrit të vendit, gjenden në dokumentet e deklasifikuara së fundmi dhe janë gati t’i shërbehen studiuesve në zbatim të ligjit nr. 45/2015, i ndryshuar. Përveç dokumenteve të proceseve hetimore e gjyqësore të gruas dhe fëmijëve të ish-Kryeministrit, dokumentet që po deklasifikojmë sot mbajnë informacione të krijuara nga Drejtoria e Parë e ish-Sigurimit të Shtetit në lidhje me aktivitetin e ish-Kryeministrit, komente rreth vetëvrasjes, regjistra të internim-dëbimeve, të krijuara pas vdekjes së Kryeministrit, në janarin e vitit 1982 dhe të mbyllura në vitit 1990. Për ish-Kryeministrin ka 18 volume me dokumente ndërsa për gruan e tij 5 volume. Për historiografinë komuniste Mehmet Shehu, Kryeministri i Shqipërisë prej më shumë se 3 dekada besnik i partisë, u kthye brenda natës në agjentin e disa agjenturave të huaja. Nga kjo ngjarje kanë kaluar 42 vjet. Për të është shkruar shumë, ish-drejtues të strukturave të Policisë Sekrete të kohës kanë nisur të flasin me siguri për vrasjen e tij, e megjithatë misteri vijon. Heqja e sekretit nga këto dokumente, 30 vjet pas rënies së komunizmit është një nevojë historike që ndihmon historianët dhe publikun të kuptojnë më mirë të shkuarën e errët. Autoriteti inkurajon studiuesit të njihen me këto dokumente dhe t’i ballafaqojnë ato me dëshmi dhe dokumente nga arkivat e tjera, brenda dhe jashtë vendit. Referenca: *)Dokumente nga dosja me nr.15: “Informacione dërguar udhëheqjes se Partisë dhe Shtetit mbi të dhëna e komente rreth vetëvrasjes së armiku Mehmet Shehu si dhe disa për sabotime nga ai në Ushtri.” Data e krijimit 5.1.1982 dhe ka mbaruar ne 4.10.1982.