Kurti:Mund të ketë zgjedhje të parakohshme në veri

0
5

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se është i përgatitur të marrë në konsideratë zgjedhjet e parakohshme në veri të Kosovës me shumicë serbe, pasi disa burime britanike shprehën shqetësimin se SHBA-ja dhe BE-ja po bëjnë një gabim duke kërcënuar aleatin e tyre me ndëshkime, për mënyrën se si Kurti i ka trajtuar përplasjet e dhunshme të fundit në rajon, sipas “The Guardian”. Një ish-ambasador i Britanisë së Madhe tha se i dërguari i BE-së në Kosovë nuk duhet të përfshihet, ndërsa kryetarja e komisionit për Punët e Jashtme, Alicia Kearns, kritikoi SHBA-në për ndëshkimin joproporcional ndaj Kurtit. Emmanuel Macron, presidenti francez, tha se Kurti kishte bërë gabime dhe se do ta takonte bashkë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz. Kriza u përshkallëzua të hënën pasi qeveria e Prishtinës dërgoi kryetarët e komunave, të mbështetur nga policia e Kosovës, në zyrat e komunave veriore të dominuara nga serbët pas zgjedhjeve që serbët etnikë i kishin bojkotuar. Shumica e serbëve etnikë të zonës nuk e kanë pranuar kurrë shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 dhe e konsiderojnë Beogradin kryeqytetin e tyre, më shumë se dy dekada pas kryengritjes së shqiptarëve të Kosovës kundër sundimit represiv serb. Shqiptarët etnikë përbëjnë më shumë se 90% të popullsisë në Kosovë, por serbët e veriut kanë kërkuar prej kohësh zbatimin e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga BE-ja të vitit 2013 për krijimin e një asociacioni të komunave autonome në zonën e tyre. Pas përleshjeve në rrugë të hënën që lanë të plagosur 30 anëtarë të misionit të Forcave të NATO-s në Kosovë (Kfor), NATO tha se po dërgonte 700 trupa shtesë për të forcuar misionin Kfor prej 4 000 trupash. Trupat kanë mbrojtur bashkitë nga turmat nacionaliste serbe. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka vendosur ushtrinë e tij në gatishmëri të plotë luftarake dhe ka urdhëruar njësitë që të afrohen më afër kufirit. “Nëse do të kishte protesta paqësore për zgjedhje të parakohshme, do të kishin mirëkuptimin tim, por jo turmat me shkronjën Z (një simbol pro-rus) që qëllojnë kundër ushtarëve dhe policëve. Kësaj turme fashiste, ne nuk ia dorëzojmë republikën tonë demokratike. Nëse duan protesta paqësore që kërkojnë zgjedhje të parakohshme, ata kanë një kryeministër që është më se i gatshëm t’i dëgjojë dhe ndoshta të pajtohet me ta”, tha Kurti duke folur në një konferencë për sigurinë, në Bratislavë. atsh