Sektori i industrive kreative në ekonominë globale ka vlerë prej rreth 4.3 trilion dollarësh. Potenciali i industrisë kreative për të promovuar qëndrueshmërinë njihet si udhërrëfyes për ekonomi qarkore në Kosovë. Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencën për “Ekonomi Kreative – Perspektiva në Ndryshim: Krijuesit në Krye të Ndryshimit Ekonomik”.

Ai tregoi se aktualisht është duke u hartuar strategjia për ekonominë kreative me një përfshirje të gjerë të institucioneve publike.

Kurti tha se talenti krijues ndikon shumë në zhvillimin dhe ngritjen e ekonomisë.

Kryeministri Kurti potencoi se Qeveria e Kosovës po ndjek trendet e shteteve të zhvilluara që kanë hartuar e adaptuar politika zhvillimore për ekonominë kreative.Ai shtoi se sektor i ekonomisë kreative shihet si një shtyllë e rëndësishme e strategjisë së  specializimit të mençur të Kosovës.

Përveç kësaj konference, në tetor të këtij viti Ministria e kulturës, Rinisë dhe Sportit organizoi një panel diskutues të ministrave “Ekonomia kreative në perspektivë”. Edhe aty u theksua se ky sektor kontribuon në rritjen ekonomike dhe promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare në fushën e kulturës.