Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se deeskalimi i situatës në veri nuk mund të zgjidhet me trysni dhe përmendje pasojash. Ai pranoi se ka sfida në diskutimet me emisarët Lajçak dhe Escobar por u shpreh i bindur se do të mund t’i sqarojnë të gjitha paqartësitë, derisa shtoi se s’ka marrë asnjë ultimatum nga ata për zgjidhjen e situatës në veri. Kurti, pasi mori pjesë në një aktivitet të xhudos në Mitrovicë, para mediave tha se u ka ofruar përfaqësuesit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe emisarit të ShBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar mënyrën e sigurt se si të ketë një dalje të qëndrueshme nga kriza në veri të Kosovës. Ai tha se është pro mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në veri, por me kushtin që fillimisht të ketë sundim të ligjit në atje dhe pastaj që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike. “Nuk kam marrë kurrfarë ultimatumi, ne u takuam bashkëbiseduam me emisarët evropian dhe amerikan për dy orë. Unë kam ofruar mënyrën e sigurt se si të kemi një dalje të qëndrueshme nga kriza në veri të Kosovës e shkaktuar nga strukturat ilegale. E para është sundimi i ligjit, kemi me dhjetëra ushtarë të NATO-s, policë të Kosovës dhe gazetarë që ishin viktima të një egërsie të paparë të ekstremistëve të dhunshëm dhe të grupeve kriminale… Pika e parë është sundimi i ligjit, s’ka qëndrueshmëri institucionale pa sundim të ligjit, një prej pikave themelore të demokracisë është ligji mbi politikën… E dyta, që në përputhje me largimin e këtyre grupeve dhe përfundimin e të gjitha trazirave të dhunshme të kemi zvogëlim të pranisë në ndërtesat komunale në tri komunat në veri dhe më pastaj do të mund të angazhoheshim në një proces fer, demokratik zgjedhor për zgjedhje të parakohshme, pasi jemi të vetëdijshëm se dalja ka qenë e ulët. Pra, po zgjedhje të reja, po zgjedhje të parakohshme, por pas sundimit të ligjit dhe përgatitjes së terrenit. Përgatitja e terrenit nënkupton se nuk mund të jenë zgjedhjet vetëm pa incidente zgjedhje tamam, por duhet të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike në njërën anë dhe anën tjetër një fushatë parazgjedhore që është e lirë dhe demokratike”, tha ai. Kurti insistoi se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian e ShBA-së janë të shkëlqyera. atsh
Kurti për situatën në veri:Nuk zgjidhet me trysni
RELATED ARTICLES