Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në tubimin përkujtimor me rastin e 28-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, organizuar nga zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, në bashkëpunim me prof. Nexhmedin Spahiu, që u mbajt në Institutin e Historisë. Duke kujtuar gjenocidin e tmerrshëm që ndodhi 28 vjet më parë në Srebrenicë, kryeministri Kurti tha se na kujtohen 8732 burra e djem boshnjakë që nuk ju dha as më e vogla fije shprese për mbijetesë, e të cilët u masakruan pamëshirshëm, nga dora e shtetit armik. “Na dalin përpara kolonat e 30 mijë grave, fëmijëve e pleqve që u abuzuan dhe detyruan të shpërngulen nga vendi i tyre. Na kujtohen ata një mijë persona trupat e të cilëve ende nuk janë gjetur as sot. Na kujtohet dhe na mundon gjithmonë fakti që kriminelët kurrë nuk morën dënimin e merituar. Pa çka se Serbia u bë përgjegjëse që nuk e ndaloi kryerjen e gjenocidit, ajo nuk u mbajt asnjëherë përgjegjëse që e kreu pamëshirshëm këtë gjenocid”, tha në fillim të fjalës kryeministri Kurti. Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri përmendi të dhënat e Qendrës për të Drejtën Humanitare e udhëhequr nga Natasha Kandic, sipas së cilës katër mijë oficerë të armatës jugosllave nga Serbia luftuan kundër boshnjakëve në Bosnjë e Hercegovinë, e që janë paguar nga Serbia. Po ashtu, i gjithë armatimi dhe uniformat iu shkonin nga Serbia. Prej 25 mijë serbëve që u vranë në Bosnje, më pak se 1/5 ishin civilë. “Serbia është përgjegjëse sepse në fund të fundit Marrëveshjen e Dejtonit e ka nënshkruar Presidenti i Serbisë, Millosheviç” tha ai. Më tej, Kryeministri Kurti, tha se Radovan Karaxhiçi e Ratko Mlladiçi tashmë janë dënuar për pjesëmarrjen në gjenocid, dhe me shumë vonesë u dënuan edhe Jovica Stanishiqi e Frenki Simatoviçi, për implikim në krimet e kryera nga Serbia në Bosnjë. Kjo, siç tha ai, është tregues që gjenocidi në Bosnjë nuk ka ndodhur së brendshmi, por nga jashtë dhe se përgjegjës nuk janë vetëm disa serbë të Bosnjës, por Serbia si shtet. “Prandaj, ende nuk ka drejtësi e paqe për Srebrenicën dhe Bosnje dhe Hercegovinë. Prandaj, kjo mizori peshon rëndë në ndërgjegjen ndërkombëtare edhe më shumë se çerek shekulli më vonë”, u shpreh kryeministri. Ai rikujtoi se dy vite më parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës është miratuar një rezolutë, me të cilën dënohet gjenocidi në Srebrenicë dhe ftohet Qeveria e Kosovës të nderojë viktimat dhe kujtimin e kësaj date. Në atë rezolutë pika nr. 6 shkruan se Kuvendi i Kosovës: “Fton të gjitha shtetet e rajonit, që të bëjnë përpjekje shtesë për t`i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për planifikimin dhe kryerjen e gjenocidit në Srebrenicë.” Në këtë tubim ndër të tjerë, të pranishëm ishin edhe Shemsudin Mehmedoviq, deputet në Parlamentin e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Fatmir Xheka, Ministër i të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave nga Mali i Zi. atsh
Kurti: Ne e duam paqen vetëm duke kërkuar drejtësinë
RELATED ARTICLES