Kryeministri, Albin Kurti ka deklaruar se Qeveria e Kosovës gjatë këtij viti ka mbështetur financiarisht studentët me 3 milionë euro në pesë skema të ndryshme të bursave, në të gjitha nivelet dhe se kjo mbështetje do të rritet çdo vit sepse kanë vërejtur se efektet e kësaj mbështetje po kthehen në rezultate të suksesshme. Kurti në Olimpiadën Matematike të Kosovës, në të cilën po marrin pjesë rreth 500 nxënës që janë përzgjedhur si më të suksesshëm nga të gjitha komunat e Kosovës, tha se matematika nuk është vetëm një lëndë mësimore por është një gjuhë universale e cila i tejkalon kufijtë, kulturat dhe identitetet. Ai tha nga gara e sotme është i bindur që do të dalin fitues që do të na përfaqësojnë vendin në garat me bashkëmoshatarët e vendeve të botës dhe do të sjellin shumë medalje. Sipas tij, në vitin 2023, si Qeveri kanë ndarë 1882 bursa për vajzat që studiojnë në fushën shkencë, teknologji dhe matematikë. Ndërkaq, kryetarja e Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës, Valdete Rexhëbeqaj-Hamiti, tha se sot do të garojnë më të mirët nga të gjitha komunat e Kosovës. Ajo shtoi se pas një angazhimi të vazhdueshëm, Kosova ka fituar të drejtën për të organizuar Olimpiadën e 14 matematike për vajza “European Girl’s Mathematical Olympiad”, që do të mbahet në vitin 2025. Rexhëbeqaj-Hamiti theksoi se fitimi i së drejtës se organizimit të kësaj gare për vitin 2025, është një arritje e jashtëzakonshme për Kosovën dhe një dëshmi e qartë se Kosova ka kapacitete profesionale dhe organizative për të qenë udhëheqëse e ngjarjeve më prestigjioze ndërkombëtare. Ndërsa, rektori në Universitetin e Prishtinës, Qerim Qerimi theksoi se Olimpiada Matematike e Kosovës është një garë prestigjioze e nxënësve para-universitar në vend nga fusha e matematikës. Ai shtoi se në mesin e më shumë se 100 vendeve, Kosova është pjesëmarrëse në këtë olimpiadë që prej vitit 2011, për çka shtoi se që nga atëherë skuadra e Kosovës ka fituar dy medalje olimpike. Të pranishmit i përshëndeti edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila tha se do të vazhdon mbështetja për nxënësit dhe studentët që do ta përfaqësojnë Kosovën në gara të ndryshme ndërkombëtare. Përndryshe, për herë të 16-të me radhë po mbahet Olimpiada Matematike e Kosovës, ku për herë të parë po marrin pjesë edhe nxënësit e klasave të 7-ta dhe të 8-ta. Nga Olimpiada Matematike e Kosovës, e cila organizohet nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës, me mbështetje të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, do të përzgjedhet ekipi prej 6 nxënësve që do ta përfaqësojë shtetin e Kosovës në Olimpiadën e 65-të Matematike Ndërkombëtare – IMO 2024, e cila do të mbahet në Bath, në Mbretërinë e Bashkuar prej datës 11. 07. 2024, deri më datën 24. 07. 2024, ku Kosova merr pjesë për herë të katërmbëdhjetë në cilësinë e anëtarit me të drejta të plota. Nga kjo olimpiadë, përzgjedhet ekipi prej katër vajzave që do të përfaqësojë shtetin e Kosovës në Olimpiadën e 13-të Evropiane të Matematikës për Vajza – EGMO 2024, e cila do të mbahet në qytetin Tskaltubo, në Gjeorgji, prej datës 11.04.2024 deri më datën 19.04.2024. Po ashtu, nga Olimpiada Matematike e Kosovës do të përzgjedhen nxënësit nga klasat VII, VIII dhe IX që do të përfaqësojnë shtetin e Kosovës në Olimpiadën e 5-të Matematike Kosovë – Shqipëri, e cila do të mbahet në muajin korrik në vitin 2024.
Kurti: Mbështetja për studentët do të rritet çdo vit
RELATED ARTICLES