Sipas kryeministrit Albin Kurti, Republika e Kosovës e respekton Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë.
“Gjithashtu, me anë të kësaj deklarate, Republika e Kosovës solidarizohet me të mbijetuarit dhe familjet e viktimave të këtij gjenocidi si dhe me kujtimin e Srebrenicës si kujtesë për të parandaluar tragjedi të këtij lloji në të ardhmen. Për këto arsye dhe të tjera që rrjedhin prej tyre, Republika e Kosovës e respekton Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, për çka angazhohet për organizimin e aktiviteteve të ndryshme përkujtuese dhe në nderim të viktimave”, shkruan ndër të tjera Albin Kurti.
Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova as nuk harron dhe as nuk i fal krimet e gjenocidit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të kryera nga shteti i Serbisë mbi popullin e Kosovës në të gjitha etapat dhe veçanërisht gjatë viteve 1998-99.
“Duke qenë edhe vetë viktimë e të njëjtave kategori të krimeve sipas të drejtës ndërkombëtare, populli i Kosovës e ka gjithë empatinë dhe solidaritetin me viktimat e gjenocidit në Srebrenicë dhe me popullin e Bosnjë e Hercegovinës. Shoqëria dhe shteti i Kosovës as nuk harron dhe as nuk falë krimet e gjenocidit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të kryera nga shteti i Serbisë mbi popullin e Kosovës në të gjitha etapat dhe veçanërisht gjatë viteve 1998-’99. Në përkujtim të viktimave të gjenocidit, për drejtësi, për të vërtetën dhe për historinë”, shton ai.