Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALEKOSOVAKurti: I kemi kërkuar Agjencisë Kadastrale ta zbatojë vendimin për Deçanin

Kurti: I kemi kërkuar Agjencisë Kadastrale ta zbatojë vendimin për Deçanin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se Qeveria e tij i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për tokën e Manastirit të Deçanit. Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, në paraditen e 13 marsit, kryeministri ka thënë se kjo është bërë për shkak se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që kërkon transferimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit, do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill. Kurti ka thënë se, ndonëse Qeverisë së Kosovës nuk i pëlqen vendimi – të cilin e ka cilësuar “të çuditshëm” e “të padrejtë” – ajo nuk ka mjete ligjore e juridike për ta anuluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Shefi i ekzekutivit kosovar ka thënë se nuk do të ndryshojë qëndrimi i Qeverisë ndaj “këtij vendimi të dëmshëm asnjëherë”, por se, në anën tjetër, nuk ka dyshim se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës “do të ishte jo vetëm fitore historike, por edhe një hap gjigant për republikën tonë drejt njohjes nga pesëshja evropiane, që mundëson anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian për Kosovën e pavarur”. Kurti, po ashtu, ka bërë të ditur se ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës, përderisa ka theksuar se procesi i vendimmarrjes për anëtarësimin e Kosovës do të përfundojë në maj. “Më 22 mars është mbledhja e jashtëzakonshme e komunitetit atje, nga mesi i prillit është Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, dhe në fund të majit është shqyrtimi nga Këshilli i Ministrave, në Këshillin e Evropës, që vendos për anëtarësimin tonë”, tha ai.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës është përshëndetur menjëherë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një konferencë për media, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, në Prishtinë, i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se “aq sa ishte i rëndësishëm dhe i vështirë, vendimi i sotëm për Manastirin ishte shumë i domosdoshëm”.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments