Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Kosova përveç që duhet të kujdeset për sigurinë për shkak se grupet terroriste serbe, dëshirojnë të shkaktojnë destabelizim, vendi ynë fokusohet edhe për anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian. Për anëtarësim në BE, Kurti tha se ka marrë premtim që BE dhe gjashtë vendet e Ballkani Perëndimor, do të jenë bashkë. Kurti i bëri këto komente në ditën e dytë të Forumit të Paqes në Paris, ku zhvilloi një diskutim në kuadër të temës “Krijimi i paqes dhe ndërtimi i një bote më të sigurt”, i cili u moderua nga Pascal Boniface, drejtor i Institutit francez për Çështje Ndërkombëtare dhe Strategjike (IRIS). Ai fillimisht është ndalur te sulmi terrorist i 24 shtator në veri të Kosovës, ku është vrarë polici i Kosovës. “Sigurisht kanë dashur të shkaktojnë përshkallëzim të një përmase më të madhe ashtu që të mund të krijonin atë kaosin e përgjithshëm si pretekst që ushtria serbe të hyjë në Kosovë. Ushtria serbe ka 48 baza ushtarake për gjatë kufijve tanë, ku gjysma janë të ushtrisë, gjysma tjetër të gjandermërisë”, tha Kurti. Sipas tij, shumica e autorëve të aktit terrorist janë të lirë në Serbi, duke përfshirë edhe liderin e atij grupi Millan Radojçiç, i cili ka pranuar publikisht që ka pranuar që ka udhëhequr këtë sulm por që është arrestuar dhe liruar pas pak orësh. “Për sigurinë e vendit tonë duhet të kujdesemi për këto grupe që duan t’i ngjajnë Wagnerit, që dua të shkaktojnë destabilizim por në anën tjetër duhet të fokusohemi kryesisht te situata gjeopolitike ku nuk kemi kurrfarë alternative sepse nuk duam të kemi alternativë përveç Bashkimit Evropian dhe NATO-s, por ka edhe vende që bëjnë dhe mendojnë ndryshe, që kjo po e bën situatën më të vështirë sepse është e qartë që Federatës Ruse i ka pëlqyer shumë në Ballkan, të cilat pastaj të cilat kanë efekt përhapës në kuptimin e largimit të vëmendjes nga agresioni që kanë filluar para dy vitesh ”, tha ai, derisa përmendi kërkesën e sekretarit të shtetit amerikan për tërheqjen e trupave serbe nga afërsia me Kosovën. Kurti tha se nga BE kanë dy premtime, fillimisht për planin e zgjerimit nga BE, ku janë paraparë 6 milionë euro për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. “Kemi edhe një premtim apo zotim nga presidenti Charles Michel që 2030 është viti në të cilin BE dhe Ballkani Perëndimor bëhemi bashkë në këtë rrugëtim të gjatë, pra kemi kohë dhe substancë dhe besoj që duhet ta përdorim këtë që të futemi në këtë shteg që është i pakthyeshëm për ata që duan të jenë në BE“, tha ai. Sipas tij, çdo i treti qytetarë i Kosovës jeton në vendet e ndryshme të botës, ku kontribuojnë në ekonomi, sport e kulturë.