Kurti këto komente i bëri teksa ishte i ftuar si folës kryesor në Konferencën e organizuar nga Fondacioni për Studime Progresive Evropiane (FEPS), Friedirch-Elbert-Stiftung (FES), Fondacioni Max car der Stoel, Qendra Ndërkombëtare Olaf Palme, së bashku me Grupin e Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në Parlamentin Evropian, me temë “Një kapitull i ri i përbashkët për zgjerimin e Bashkimit Evropian”.
Gjatë adresimit të tij hyrës, theksoi se për herë të parë në më shumë se 20 vjet, në botë ka më pak vende me demokraci sesa autokraci, 88, respektivisht 91, kurse numri i demokracive liberale ka rënë nga 42 në vitin 2012, në 29 në vitin 2024.
Ai citoi ish-kancelarin gjerman Willy Brandt, i cili në vitin 1969 kishte sfiduar Gjermaninë dhe Evropën për të përqafuar më shumë demokracinë duke thënë, “Ne duam të guxojmë më shumë demokraci”. Kryeministri veçoi se në këtë thënie të ish-kanceralit gjerman nuk duhet të harrojmë se ai përmend fjalën guxoj/marr guximin, kështu që në politikë është shumë e rëndësishme të guxojmë.
“Deficiti demokratik nuk është gjë e re për BE-në dhe që nga ditët e Traktatit të Mastrihtit, janë bërë përpjekje për të reformuar dhe zgjeruar unionin. Për të guxuar demokracinë, unë besoj se Bashkimi Evropian duhet t’i bëjë të dyja: reformimin dhe zgjerimin. Unë marr guximin të them se këto mundësojnë dhe kushtëzojnë njëra-tjetrën njëkohësisht. Vetëm një BE që është e gatshme të reformohet mund të zgjerohet gjithashtu, dhe vetëm një BE që dëshiron të zgjerohet, do të jetë në gjendje të reformohet”, u shpreh kryeministri Kurti.
Duke folur për nevojën dhe përgjegjësinë për të mbrojtur demokracinë, kudo, ai tha se çdo vonesë është e kushtueshme.
“Që demokracia të mbijetojë, ne patjetër duhet ta mbrojmë atë, kudo. Çdo vonesë për ta bërë këtë është e kushtueshme. Për ta mbrojtur atë, së pari duhet ta pranojmë se kjo është detyra jonë historike dhe morale. Për sa i përket zgjerimit, pranimi do të thotë një ‘garë drejt majës’, një qasje e bazuar në merita. Progresi demokratik duhet të shpërblehet, ndërsa rrëshqitja prapa duhet të trajtohet. Regjimet autoritare dhe vetëkënaqësia në shoqëritë demokratike duhet të sfidohen, menjëherë, jo të lihen për më vonë”, deklaroi kryeministri.
Ai tha se mbajtja në sirtar të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian për më shumë se 27 muaj, përkundër angazhimit dhe reformave të realizuara të vendit tonë, nuk pasqyron qasje të bazuar në meritë, dhe se një situatë e këtillë rrezikon besimin ndaj procesit. Me tej, shtoi se te Komisioni i ri Evropian ka vërejtur më shumë gatishmëri, vullnet dhe interes për të përfshirë Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Evropian, megjithëse duket të ketë më shumë gatishmëri dhe interes sesa vullnet, teksa theksoi rëndësinë që të rritet vullneti, sepse gatishmëria dhe interesi nuk mjaftojnë pa vullnetin.
Sipas një komunikate të Qeverisë, në fund, kryeministri bëri thirrje për më shumë aktivizim, bashkëpunim dhe solidaritet ndërmjet partive simotra dhe socialdemokratëve dhe njëkohësisht më shumë optimizëm të përgjegjshëm dhe entuziazëm ndaj qytetarëve.
Kjo konferencë u organizua në kuadër të programit “Willy Brandt për Zgjerimin e Bashkimit Evropian” të Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në Parlamentin Evropian.