Kurthi “Narta” është instrumenti i ri shkencor që do të përdoret për qëllime shkencore në fushën e ornitologjisë, studimit dhe ruajtjes së shpendëve të egër të rendit të “Baltakëve”.
Ky instrument shkencor është krijuar nga Mirjan Topi, i cili po vijon studimet në doktoraturë në degën Biologji në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe pedagogu në këtë fakultet, Ferdinand Bego.
Krijimi i tyre është publikuar edhe në Revistën Shkencore Ndërkombëtare të Studimit të Shpendëve të Rendit të Baltakëve, duke vendosur një pikë referimi për ornitologjinë shqiptare.
Topi bëri të ditur se “ky kurth është tepër i sigurt, nuk krijon asnjë shans në bazë të testimeve që të dëmtohet veza apo shpendi ndryshe nga kurthet e tjerë që shpendi mund të futet e të dalë, tek ky kurth nuk mund të dalë pa ndihmën tonë, pra pa u përpunuar, pa u unazuar dhe pa i vendosur një GPS ose pa i marrë një kampion gjaku”.
Pedagogu i FNSH-së, Ferdinand Bego tha për ATSH-në se “instrumente të tillë janë të zakonshëm në punën shkencore, pasi të bësh punë me një grup shpendësh të vështirë siç është ai i baltakëve duhet të përdorësh mjetin e duhur që është më miqësor dhe që e shqetëson më pak”.
“Studime të tilla kanë një interes të jashtëzakonshëm se rendi i baltakëve është i lidhur ngushtë me ligatinat ose vendet e largëta që janë ekosisteme të rëndësishme për mbarë planetin përfshirë edhe vendin tonë”, tha Bego


