Në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Pojskë ka nisur kursi profesional i parukerisë, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA).
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve ky kurs synon t’i pajisë gratë e dënuara me aftësi dhe njohuri profesionale në fushën e parukerisë, duke i përgatitur ato për një integrim më të lehtë në tregun e punës, pas përfundimit të dënimit.
“Ky bashkëpunim përbën një hap të rëndësishëm drejt risocializimit dhe fuqizimit të grave, duke krijuar mundësi reale për zhvillim personal dhe profesional”, njoftoi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
IEVP Pojskë funksionon që nga 30 qershori i viti të kaluar si një institucion me qëllime të veçanta rehabilitimi për kategori të caktuara të burgosurash, duke i përfshirë ato në aktivitete dhe programe që synojnë riintegrimin e tyre në shoqëri pas lirimit.