Dy studime të reja kanë zbuluar të dhëna – rreth kohës dhe vendit ku macet u zbutën për herë të parë – të cilat na çojnë drejtpërdrejt ne Egjiptin e lashtë, sipas BBC.
Më herët, studiuesit besonin se zbutja e maceve kishte filluar kur macet e egra nisën të endeshin rreth fshatrave të para bujqësore më shumë se 9,000 vjet më parë.
Ndërsa rezervat e grurit tërhiqnin brejtësit, macet e egra të Afrikës së Veriut filluan të gjuanin parazitët, duke krijuar një marrëdhënie të dobishme reciproke – që përfundimisht çoi në zbutjen e tyre. Por ky model tani mbetet nën shqyrtim.
“Shpesh thuhet se paraardhësi i egër – i maces shtëpiake – macja e egër e Afrikës së Veriut – u zbut gjatë Neolitit”, tha Dr. Sean Doherty, një shkencëtar arkeologjik në Universitetin e Exeter dhe autor kryesor i studimit të parë.
“Studimi ynë e sfidon këtë teori – duke shqyrtuar provat osteologjike (të kockave), gjenetike dhe ikonografike në dispozicion. Ne sugjerojmë se zbutja e maceve filloi në Egjipt rreth mijëvjeçarit të dytë deri në mijëvjeçarin e parë para Krishtit”, shtoi ai.
Ekipi i Doherty përdori analiza zooarkeologjike, gjenetikë dhe datim radiokarbon për të rivlerësuar mbetjet e maceve të lashta nga vendet arkeologjike në të gjithë Evropën dhe Afrikën e Veriut – që datojnë nga lashtësia deri në kohët moderne.
Kockat e gjetura në një fshat bujqësor 9,500-vjeçar në Qipro, që dikur mendohej se tregonin zbutje të hershme, u zbulua se ngjanin më shumë me macet e egra.
“Disa gabime në datim mund të kenë ndodhur për shkak të faktit se kockat e maceve janë të vogla dhe mund të zhvendosen midis shtresave të tokës me kalimin e kohës”, tha Doherty.
“Ne përdorëm datimin radiokarbon për të konfirmuar datat e tyre – e cila tregoi se disa mace ishin dukshëm më të reja nga sa besohej”, shtoi ai.
E gjithë kjo sugjeron se afati kohor kur macet u zbutën është në të vërtetë më “i freskët” nga sa mendohej.
Studiuesit argumentojnë se, ndërsa kontrolli i brejtësve ka të ngjarë të ketë luajtur një rol në zbutjen e maceve, feja mund të ketë qenë më e rëndësishme.
Në Egjipt, macet u bënë të shenjta për perëndeshën Bastet dhe miliona prej tyre u rritën për sakrificë rituale.
“Lidhja midis maceve shtëpiake dhe perëndeshës egjiptiane Bastet arriti kulmin e saj në mijëvjeçarin e parë para Krishtit”, tha Doherty.
“Në tempujt kushtuar perëndeshës, gjejmë miliona mace të mumifikuara. Kishte aq shumë saqë në periudhën viktoriane, shumë prej tyre u dërguan sërish në Britani të Madhe për t’u bluar dhe përdorur për pleh”, tha ai.
Në procesin e mbarështimit të miliona maceve për vrasje rituale, tiparet që i bënin ato më të lehta për t’u trajtuar u përzgjodhën gradualisht – dhe ja ku lindi “macja shtëpiake”.
Një studim i dytë gjenomik, në të cilin Doherty është bashkautor, analizoi 87 gjenome macesh të lashta dhe moderne dhe nuk gjeti prova se macet shtëpiake hynë në Evropë me fermerët neolitikë.
Në vend të kësaj, ato mbërritën brenda 2,000 viteve të fundit – me shumë mundësi nga Afrika e Veriut.
“Mendoj se kjo tregon se afërsia midis njerëzve dhe maceve nuk është rezultat i kohëzgjatjes së marrëdhënies midis tyre, si me qenin”, tha Doherty.
Dhe duke pasur parasysh arsyen e zbutjes së tyre të hershme, nuk është çudi që macet ende sillen sikur të jenë perëndi.