Kultura mesjetare në hapësirat arbërore

0
5

 Instituti i Historisë i Akademisë së Shkencave, në bashkëpunim me Institutin e Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë zhvilluan konferencën shkencore Ndërkombëtare me temë “Kultura mesjetare në hapësirat arbërore”, në bibliotekën e Universitetit “Luigj Gurakuqi”.

Konferenca u zhvillua në dy seanca paralele dhe në të morën pjesë 16 studiues të njohur të periudhës së historisë mesjetare shqiptare.

Pjesëmarrësit vinin nga gjashtë institucione të ndryshme, si Instituti i Historisë së Akademisë së Shkencave së Republikës së Shqipërisë, Instituti i Historisë “Ali Hadri” Kosovë; “Albanisches Institut” në St. Gallen, Zvicër; Departamenti i Historisë së Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër; departamenti i historisë i Universitetit të Tiranës, si dhe nga Universiteti “Eötvös Loránd” (ELTE) Budapest.

Çështjet që u trajtuan në konferencë prekën një periudhë kohore nga Mesjeta e hershme e deri në Mesjetën e vonë. Tematikat kishin të bënim me historinë kishtare të trojeve shqiptare; me hulumtime arkeologjike të kishave dhe qyteteve të ndryshme mesjetare; me çështje të historisë ekonomike; me çështje administrative, sidomos me administrimin venedikas të Shkodrës në shekullin XV, dhe me veprimtarinë politike të grave fisnike në Arbëri gjatë Mesjetës së vonë e me çështje të tjera.